Në prag të nisjes së fushatës së partive politike për zgjedhjet e 11 majit, Autoriteti i Mediave Audiovizive u kujtoi sot të gjitha medieve audio dhe audiovizive nevojën për profesionalizëm dhe kërkesën për zbatimin rigoroz të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë.
Kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi në një postim në rrjetet sociale tha se “në këtë proces shumë të rëndësishëm, mediat audio dhe audiovizive janë pjesë përmes mbulimit të dinamikës së garës mes subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, në çdo cep të vendit”.
“Transmetimet audio dhe audiovizive me rolin dhe ndikimin e tyre, do të jenë një hapësirë e dobishme që ndjekësit të njihen më mirë dhe në mënyre të detajuar mbi alternativat e propozuara, mbi strategjitë dhe programet për zhvillimin e Shqipërisë. Ato janë ndihmë për qytetarët, sidomos ata me të drejtë vote, që të kuptojnë më qartë të përbashkëtat dhe diferencat mes pikëpamjeve dhe zotimeve mbi çka ndodhur, ndodh, apo dhe atë që pritet, duke e bërë fushatën sa më kuptueshme dhe transparente për qytetarët”, theksoi Krasniqi.
Sipas saj, që prej vitit 2021 AMA është angazhuar me monitorimin e mbulimit të fushatës zgjedhore nga OSHMA-të.
Krasniqi informoi se Autoriteti do ta kryejë këtë detyrë, bazuar në kërkesat e Kodit Zgjedhor, apo akteve të tjera të miratuara nga KQZ.
“Në komunikim të përditshëm me KQZ-në, gjetjet ditore, javore apo raporti fundor i 30 ditëve, do të raportohen në KQZ dhe të dhënat do të publikohen periodikisht në faqen zyrtare të këtij institucioni. Duke iu referuar mënyrës së mbulimit nga OSHMA-të të zgjedhjeve të kaluara, u vunë re edhe raste ku disa prej tyre nuk i ruajtën raportet kohore të mbulimit të aktiviteteve të subjekteve politike pjesëmarrëse, nuk respektuan limitin e volumit të reklamave politike, nuk sollën në AMA përmbajtjet e regjistruara kur u janë kërkuar dhe të tjera shkelje, AMA u kujton të gjitha redaksive nevojën për profesionalizëm dhe kërkesën për zbatimin rigoroz të kërkesave të Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, tha Krasniqi.
Ajo shprehu besimin dhe pritshmërinë që OSHMA-të do të angazhohen me raportime profesionale dhe etike, në respektim të kërkesave të Kodit, por dhe në respekt të interesimit dhe vëmendjes së shtuar të ndjekësve mbi procesin zgjedhor të 11 majit.