Me rastin e 15-vjetorit të Shtetit të Pavarur të Kosovës, ambasada e Kosovës në Tiranë organizoi mbrëmjen e 15 shkurtit, një pritje ku të pranishëm ishin përfaqësues të qeverisë, politikanë, ambasadorë të akredituar në vendin tonë, përfaqësues të komuniteteve fetare, etj.
Në fjalën e tij, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi foli për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.
Durmishi vlerësoi bashkëpunimin e Kosovës me Shqipërinë dhe vuri theksin tek 180 marrëveshjet ndërshtetërore, duke konsideruar si marrëveshje historike marrëveshjet për hekurudhën Durrës-Prishtinë, porti i thatë i Prishtinës, abetarja unike, vendkalimet kufitare.
“Marrëdhënia jonë ndërshtetërore është krejt e veçantë dhe bashkëpunimi po ashtu. Mund të konstatoj me kënaqësi dhe solemnisht nivel shumë të mirë bashkëpunimi në politikë, ekonomi, në politikën e jashtme, në kulturë dhe të gjitha fushat”, u shpreh ai.
“Aktualisht kemi 180 marrëveshje ndërshtetërore, memorandume, protokolle bashkëpunimi. Shifra nuk përbën ndonjë rëndësi si tregues, por thënë shkurtimisht të gjitha fushat e bashkëpunimit tashmë janë të mbuluar me infrastrukturë juridike. Disa nga marrëveshje janë historike si vendimi për hekurudhën Durrës-Prishtinë, porti i thatë i Prishtinës, abetarja unike, vendkalimet kufitare. Tani sfida mbetet tek cilësia e bashkëpunimit. Në këtë drejtim na duhet të bëjmë më shumë”, tha Durmishi.
Në vijim, Durmishi shtoi se, “duhet të bëjmë më shumë prodhim, më shumë eksport, më shumë projekte ekonomike bazuar në komplementaritet, më shumë këmbime kulturore, liga sportive”.
Ambasadori i Kosovës, Durmishi vlerësoi rolin e Shqipërisë në politikën e jashtme, duke vënë theksin tek roli i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, Samiti i BE-së në Tiranë dhe proceset integruese të Shqipërisë në BE.
“Në politiken e jashtme dy vendet ndjekin parime identike. Shqipëria dhe Kosova përcaktimet për integrimet euroatlantike e kanë jo vetëm objektiv politik, por edhe identitet shtetëror dhe kombëtar. Shqipëria ka rezultate të mira në politikën e jashtme. Mjafton të përmend mandatin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, besimin për organizimin e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian, Tirana Kryeqytet Evropian i Rinisë”, tha ai.
Kosova gëzohet për cdo sukses të Shqipërisë. Ju këtë e dini, prandaj në vend që të zgjatëm po shërbehem me thënien e një burri të madh kosovar, nga ditët e lavdishme të idealistëve e të trimave: “Jemi mirë kur është mirë Shqipnia”.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, i cili në fjalën e tij vlerësoi konsolidimin e shtetit të Kosovës në këto 15 vite.
“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euroatlantik. Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj”, tha Begaj.
“Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore. Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta. Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë”, theksoi ai.
Begaj vlerësoi mbështetjen që kanë dhënë Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës.
“Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftërave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit. Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qenurit bashkë në familjen e madhe evropiane. Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njehsuar në qëndrimet e tij. Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjellët dhe respektimi i minoriteteve. Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euroatlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e çdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona”, tha ai.
Fjala përshëndetëse e amabasadorit Durmishi për Ditën e Pavarësisë së Kosovës
Zonja dhe zotrinje,
Ju përshëndes përzemërsisht, në emër të Ambasadës së Republikës së Kosovës. Faleminderit
që erdhët të festojmë bashkë 15 vjetorin e Shtetit të Pavarur të Kosovës.
Festa është festë vetëm kur bëhet me miq e partnerë, sic jeni ju. Të gjithë, në një mënyrë
apo tjetër, keni kontribuar dhe mendoni për Kosovën.
Përfitoj nga ky rast unik, që për të gjithë ju të shpreh falënderime e respekt.
Mirënjohje e madhe për të gjithë ata që kontribuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe
posaqërisht, për ata që, edhe fizikisht, ishin në krah të Kosovës, në ditët e saj më të vëshira.
Zonja dhe zotrinjë,
Kosova po i bën 15 vjetë shtet, por progresi është shumë më i madh se kjo moshë.
Edhe për vitin që shkoi, ndonëse në kohë krizash e sfidash globale, patem trend pozitiv, madje
edhe në ekonomi, p.sh rritje rekorde të të hyrave bugjetore dhe qëndrueshmëri fiskale.
Qeveria Kosovës po i kushton vëmendje të shtuar sundimit të ligjit. Transparency
International, për vitin e kalauar, konstatoi ngritje cilësore për 20 vende në luftimin e
korrupsionit.
Jemi shumë mirë në muzikë, në artet vizuele dhe në kinematografi.
Sportistët tanë po vazhdojnë me suksese në arenën ndërkobëtare. Gjudistja, Distria Krasniqi, këto ditë, na solli edhe një medalje ari nga Parisi.
Pra, në gara e asosciacione ndërkombëtare, sjellim freski e kualitet, jo vetëm në sporte!
Tash një vit qytetarët e Kosovës do të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së. Falënderojmë të gjithë ata që na besuan dhe ndihmuan për këtë vendim, të shumëpritur, ndonese padrejtësisht, shumë të vonuar. Sidoqoftë, kjo nuk lëkundi aspak përcaktimin pro-evropian të Kosovës. Mbështetja absolute e qytetarëve do të jetë ndihmesë e madhe.
Republika e Kosovës aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian. Sic e dini, Kosova tashmë vlerat e KiE dhe të BE-së i ka bërë pjesë të rendit kushtetues dhe të jetës institucionale.
Respektojmë e zbatojmë vullnetarisht politikën e jashtme të BE-së. Këtë e dëshmuam edhe me rreshtimin e vendosur në krah të Ukrainës, sikurse edhe aleatët tanë Euro-Atlantik.
Po punojmë për forcim të pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Aktualisht kemi 117 njohje,
numër solid në organizatat ndërkombëtare dhe përvojë të mirë në ato rajonale.
Numri i vendeve njohëse, sigurisht, nuk është ai që duam dhe që meritojmë. Por, besojmë e
presim se edhe të tjerat do të tejkalojnë paragjykimet e hezitimet, sepse faktet tregojnë se po
ndërtojmë shtet me vlera e standarde të avansuara demokratike, në të gjithë parametrat.
Po ju referohem më shumë zhvillimeve pozitive, jo vetëm se kështu flitet në festa, por se të
shënuara në kohë krizash, kanë më shumë peshë. Dëshmojnë për kontinuitet e vitalitet.
Natyrisht Kosova, ka e do të ketë, edhe sfida, sic është shtimi i njohjeve tw shtetit tonw, qw mbetet detyraw serioze për politikën tonë të jashtme. Ballfaqimi me pasojat e krizave globale, poashtu.
Mund të kemi edhe sfida të tjera por, kemi edhe vullnet e vetëbesim të mjaftueshëm për
përballimin e tyre në rrugën për shtet modern e të prosperuar. Për këtë qëllim sublim
gjithmonë do të kemi energji e gatishmëri të mjaftueshme.
Të nderuar miq,
Më lejoni të them dy fjalë edhe për bashkëpunimin Kosovë – Shqipëri. Marrëdhënia jonë ndërshtetërore është krejt e vecantë dhe bashkëpunimi, poashtu. Mund të konstatoj, me kënaqësi e solemnisht, nivel shumë të mirë bashkëpunimi në politikë, ekonomi, në politikë të jashtme, kulturë, në të gjitha fushat.
Aktualisht kemi rreth 180 marrëveshje ndërshtetërore, memorandume, protokolle bashkëpunimi. Shifra më nuk përbën rëndësi, si tregues. Por, thënë shkurtimisht:
Të gjitha fushat e bashkëpunimit tashmë janë të mbuluara me infrastrukturë juridike që mundësojnë, lehëtsojnë e nxisin bashkëpunim. Nuk ka asnjë pengesë.
Disa nga këto marrëveshje mund të cilësohen edhe si historike. P.sh vendimi për hekurudhën Durrës – Prishtinë, porti i thatë i Prishtinës, abetarja unike, vendkalime kufitare që më parë nuk ishin, etj.
Tani sfida mbetet tek cilësia e bashkëpunimit. Në këtë drejtim na duhet , dhe besoj, mund të bëjme më shumë. Më më shumë prodhim, më shumë eksporte, më shumë projekte ekonomike bazuar në komplementaritet, më shumë këmbime kuturore, liga sportive, etj.
Më shumë dinamikë dhe sintoni bashkëpunimi edhe në politikën e jashtme.
Në politikën e jashtme të dy vendet ndjekin parime identike. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, përcaktimin për integrime Euro – Atlantike e kanë, jo vetëm objektiv politik, por edhe identitet shtetëror e kombëtar.
Shqipëria, për fatin e saj të mirë dhe për kënaqësinë tonë, ka rezultate të mira në politikën e jashtme. Mjafton të përmend mandatin në KS të OKB-së, besimin për organizimin e Samitit BE – Ballkani Perendimor, hapi krucial për negociatat me BE-në, Tirana kryeqytet evropian i rinisë, etj.
Zonja dhe zotrinjë, miq të nderuar,
Duke përfunduar, nuk mund të lë pa përmendur një kompliment për ju, që është edhe virtyt, pa dyshim. Për këta muaj mes jushë, në bashkëpunim me institucionet, jam bindur se për Kosovën, si rregull, dominon konsensusi i forcave politike.
Ju siguroj se edhe nga ana jonë, është e njejta ndjesi. Ky është qëndrim i institucional dhe, kuptohet, prioritet e përkushtim për mua si ambasador dhe për stafin tim.
Mbi këtë parim aksiomatik nuk lejojmë e nuk bëjmë kompromise. E konsiderojmë partner,
madje edhe mik, këdo që lartëson emrin dhe imazhin e Shqipërisë dhe këdo që angazhohet
për raporte bashkëpunimi me Kosovën.
Kosova gëzohet për cdo sukses të Shqipërisë. Ju këtë e dini, prandej në vend që të zgjatëm
po shërbehem me thënien e një burri të madh kosovar, nga ditët e lavdishme të idealistëve e
të trimave: “Jemi mirë kur është mirë Shqipnia”.
Të nderuar miq,
Ky është vit jubilar i pavarësisë së Kosovës.
Sot u mblodhëm për këtë qëllim, në këtë pritje zyrtare, ndërsa në përkushtim përvjetorit, ju ftoj e ju pres ne aktivitete që do të bëjmë gjatë tërë vitit, këtu ose nëpër qytete të tjera të Shqipërisë.
Gëzuar!
15.02.2023
/Argumentum.al