Urdhri ekzekutiv i presidentit amerikan Joe Biden për bllokimin e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA të personave që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor është në përputhje me punën që Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë bërë për të integruar rajonin në strukturat Europiane dhe Euro-Atlantike, reagon në Facebook, Ambasada amerikane në Tiranë
“Presidenti Joe Biden miratoi një urdhër ekzekutiv të ri dje, i cili autorizon përdorimin e sanksioneve kundër personave të përfshirë në një sërë aktivitetesh destabilizuese në Ballkanin Perëndimor, përfshirë personat e angazhuar në përpjekje që kërcënojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal; cenojnë proceset demokratike dhe përfshihen në korrupsion në lidhje me rajonin ndër aktivitete të tjera”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, përmes një urdhri ekzekutiv ka paraparë bllokimin e pronës dhe pezullimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara të personave të caktuar që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor.
Urdhri është vazhdim i atij fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë të Ballkanit Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, mirëpo tani janë paraparë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.