Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës në Veri të vendit, ku janë mbyllur pesë institucione paralele që kanë funksionuar ilegalisht në katër komunat veriore.
Në një reagim të Ambasadës amerikane në Kosovë aksioni në veri është cilësuar si “vazhdimësi e aksioneve të pakoordinuara të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, e që vazhdojnë të kenë ndikim direkt dhe negativ në komunitetin serb dhe komunitetet tjera minoritare në Kosovë”.
Në reagim është thënë se ky aksion “nuk ka qenë i koordinuar me asnjë element të komunitetit ndërkombëtar”.
“Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë ndërkombëtarë kanë kërkuar në vazhdimësi nga Qeveria e Kosovës që të ketë prioritet koordinimin me komunitetin ndërkombëtar dhe të mos ndërmarrë veprime të njëanshme për çështjet në agjendën e dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dështimi i Qeverisë së Kosovës për t’iu përgjigjur këtyre kërkesave reflekton në përkeqësimin real dhe në rritje të partneritetit tonë”, thuhet në reagim.
Në reagim, Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka thënë se “veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës i vënë në rrezik më të madh qytetarët e Kosovës dhe ushtarët e KFOR-it, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtarisht”.
SHBA-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës po e instrumentalizon Policinë dhe se nuk po i qëndron premtimit për “konsulta dhe koordinim të vazhdueshëm me komunitetin ndërkombëtar”.
Në këtë komunikatë, SHBA-ja ka thënë po ashtu se këto veprime të Qeverisë së Kosovës do të ndikojnë në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementet vartëse të saj.