Pas shpjegimeve për SPAK-un, këtë herë Ambasada Amerikane në Tiranë ka publikuar një tjetër video ilustruese.
Selia diplomatike përmes videos shpjegon organin tjetër të drejtësisë, Byronë e Hetimit.
Ambasada shkruan mes të tjerash se Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK dhe se është e ngjashme me FBI-në amerikane.
“Në shumë mënyra BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara”, thekson ambasada.
“Byroja Kombëtare e Hetimit është njësia hetimore e SPAK. SPAK-u është një institucion i ri, i pavarur dhe i papolitizuar kushtetues, detyra e të cilit është të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të nivelit të lartë. Në shumë mënyra, BKH është e ngjashme me FBI-në amerikane, e cila heton krime të nivelit të lartë në Shtetet e Bashkuara. Në fakt hetuesit e BKH do të trajnohen në akademinë e FBI-së në Virxhinia. Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjen e hetuesve të BKH.
BKH përbëhet nga një drejtor dhe nga një ekip drejtuesish që duhet të mbushin standarde të forta të ngjashme me ato të FBI. Kryeprokurori i Posaçëm i SPAK dhe Prokurorët e Posaçëm do të zgjedhin bashkarisht Drejtorin e BKH, ky drejtor do të drejtojë ekipet e hetuesve. Pasi të jenë përzgjedhur, atyre do t’u monitorohen llogarite bankare dhe telefonat, në mënyrë që të kryejnë detyrën me integritet dhe paanshmëri.
Pse është i rëndësishëm?
Në të kaluarën cilido me para apo pushtet mund të ndikonte sistemin e gjykatave në favor të tyre. Tani Kushtetuta i jep SPAK fuqinë dhe pavarësinë për të goditur korrupsionin e nivelit të lartë. Me tu ngritur SPAK dhe BKH do të jenë në gjendje të hetojnë korrupsionin në nivelet më të larta dhe prokurorët e posaçëm mund t’i çojnë këto çështje të rëndësishme në gjykatë. Zyrtarët e korruptuar dhe bosët e krimit të organizuar do të japin llogari dhe do të përballen me drejtësinë. BKH dhe SPAK janë këtu për tu siguruar se askush të mos jetë mbi ligjin.