Rusia vazhdon të jetë e gatshme të ofrojë vaksinën e saj për Shqipërinë pavarësisht refuzimit dhe reagimit të ashpër të kryeministrit Edi Rama. Në një reagim për Gazetën Si, Ambasada Ruse në Tiranë thotë se nëse Tirana zyrtare dëshiron të nisë negociatat me Fondin Rus të Investimeve Direkte për marrjen e vaksinës, atëherë Moska do të jetë e gatshme t’i fillojë.
Megjithatë, ambasada nuk e fsheh “habinë” me deklaratat e kryeministrit Rama pas ofertës së Rusisë disa javë më parë, kur deklaroi se ishte një provokim për të cilin selia diplomatike në Tiranë duhet të kërkonte ndjesë.
“Qeveria e secilit vendi vendos vet me cilët kompanitë ajo dëshiron të negociojë marrjen e vaksinave. Nëse Qeveria e Republikës së Shqipërisë do të dëshirojë të mbajë negociata me Fondin Rus të Investimeve Direkte, Fondi në fjalë patjetër do të jëtë i gatshëm t`i fillojë ato. Në këtë rast kjo gjë nuk ka asgjë të bëjë me ambasada ne vetëm mund të informojmë organet përkatëse shtetërore për mundësi të tilla”, thekson ambasada ruse në përgjigjen e saj për gazeta Si. Përfaqësia ruse komentoi edhe reagimin e zotit Rama duke thënë se “ne ishim të habitur.”
Më 28 dhjetor, nëpërmjet një letre dërguar këshilltarit të kryeministrit, Endri Fugës, nga Fondi Rus i Investimeve Direkte, Moska sinjalzoi se ishte e gatshme të vinte vaksinën Sputnik V në dispozcion të vendit tonë, por Rama hodhi poshtë propozimin, duke deklaruar se “fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për një meme”.
Megjithatë kreu i qeverisë shqiptarë zbuti ndjeshëm qendrimin e tij pasi Gjermania deklaroi se ishte e hapur për përdorimin e vasksinës ruse, e cila ishte vaksina e parë e zbuluar kundër koronavirusit të ri. Duke folur pas mbërritjes së dërgesës së parë nga kompania farmaceutike Pfizer, Rama deklaroi se nëse Bashkimi Europian miratonte vaksinën ruse, atëherë vendi ynë do ta merrte në konsideratë, por se për momentin ishte i përqendruar tek vaksinat perëndimore.
“Përsa i përket vaksinave lindore, ruse apo kineze asnjë paragjykim për aspektet shkencore, respekt për shkencëtarët, por zgjedhja jonë është të kërkojmë vaksina në krahun perëndimor të Shqipërisë. Nëse BE do të hapet ndaj vaksinave kineze dhe ruse, ne do të rishikojmë qasjen”, do të deklaronte Rama.
Ky ndryshim kursi i kreut të qeverisë erdhi pasi kabineti i kancelares Angela Merkel do të njoftonte se po konsideronte furnizimin me vaksina ruse./Gazeta SI