Ambasadorët e BE-së dhe të SHBA-ve, Luigi Soreca dhe Yuri Kim, janë takuar sot me kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Vitore Tusha.
Soreca tha në Twitter se detyra e KED për vitin 2020 është të ofrojë pavarësi në verifikimin e kandidatëve për vendet vakante në gjykatën kushtetuese.
“Roli i KED në vitin 2020 është që të konsolidojë institucionin dhe veprimtaritë e tij, në mënyrë që të fitohet besimi i plotë i publikut për procesin dhe vendimmarrjen”, tha Soreca në Twtter.
Ambasadori theksoi edhe një herë se krijimi i Gjykatës Kushtetuese është thelbësor për hapjen e bisedimeve, si dhe për vetë stabilitetin e Shqipërisë.
“Së bashku me ambasadoren e SHBA-ve, sot takuam znj.Vitore Tusha, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Krijimi i një gjykate kushtetuese funksionale është jetik për hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, si dhe për demokracinë dhe stabilitetin e Shqipërisë. Roli i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi është thelbësor për të përshpejtuar këtë proces”, shtoi ambasadori.
Sipas Soreca-s, komisioni i Venecias është një mundësi e mirë për të gjetur dakordësi në lidhje me procedurat që duhen ndjekur për ta përfunduar krijimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Presim të kemi vlerësime të shpejta dhe renditje të kandidatëve për tre vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese. Komisioni i Venecias është një mundësi e mirë për të gjetur dakordësinë se si të vazhdohet për të arritur funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila është institucioni i vetëm që mund të interpretojë kushtetutën, si dhe të japë vendime për konflikte kushtetuese”, tha ambasadori.
“Fryma e reformës në drejtësi është për të garantuar pavarësi dhe vetëqeverisje. Komisioni i Emërimeve në Drejtësi është krijuar për këtë qëllim, ndaj vlerësimi i kandidatëve duhet të jetë bërë në mënyrë të pavarur dhe profesionale. BE qëndron përkrah Shqipërisë dhe të ardhmes së saj si anëtare e bllokut”, e mbyll deklaratën ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca.