Ambasadori amerikan në Serbi, Christopher Hill, tha se sa i përket aktakuzës të ngritur nga autoritetet e Kosovës për sulmin e armatosur në Banjskë, shteti i tij avokon që sulmuesit të mbahen përgjegjës.
Ky qëndrim i Shteteve të Bashkuara, sipas tij, është i njohur prej kohësh.
Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës njoftoi për ngritjen e aktakuzës kundër 45 personave, përfshirë edhe ndaj Millan Radoiçiqit, duke i akuzuar për pjesëmarrje në grupin e armatosur që sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator 2023.
Autoritetet në Kosovë e cilësojnë sulmin si terrorist.
Aktakuza ende nuk është bërë publike dhe nuk dihet se kush janë personat e tjerë që janë akuzuar.
Një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar. Gjatë sulmit u vra polici Afrim Bunjaku, ndërkaq në këmbimet e zjarrit që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.
Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe – partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – ka marrë përgjegjësinë për sulmin. Ai besohet se gjendet në Serbi.