Ambasadori amerikan në Moskë tha të martën se do të kthehet në atdhe për konsultime – një lëvizje kjo që vjen pasi Kremlini e shtyu të largohej përkohësisht, ndërsa Uashingtoni dhe Moska po shkëmbejnë akuza.
Ambasadori John Sullivan tha në një deklaratë se do të kthehet këtë javë në Shtetet e Bashkuara për të diskutuar marrëdhëniet SHBA – Rusi me zyrtarët e administratës së Presidentit Joe Biden. Ai theksoi se do të kthehej në Moskë brenda disa javësh.
“Mendoj se është e rëndësishme për mua të flas drejtpërsëdrejti me kolegët e mi të rinj në administratën Biden në Uashington, për gjendjen aktuale të marrëdhënies dypalëshe mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë”, shprehet zoti Sullivan në një deklaratë të qarkulluar nga ambasada. “Gjithashtu, nuk e kam parë familjen time prej një viti dhe kjo është një tjetër arsye për t’u kthyer në shtëpi për një vizitë”.
Largimi i Ambasadorit Sullivan vjen pasi Rusia të premten për pak sa nuk i kërkoi atij të largohej nga vendi. Rusia tha se i “sugjeroi” të ndjekë shembullin e ambasadorit rus në Uashington, i cili u thërrit për konsultime muajin e kaluar pas përshkrimit që Presidenti Biden i bëri Presidentit Putin si një “vrasës”. Rusia nuk ka caktuar një datë për rikthimin e ambasadorit Anatoly Antonov në Uashington.
Të enjten, administrata Biden njoftoi sanksione ndaj Rusisë për ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2020 dhe për ndërhyrjen kibernetike në agjensitë federale nëpërmjet kompanisë SolarWind – aktivitete këto të mohuara nga Moska. Shtetet e Bashkuara urdhëruan dëbimin e 10 diplomatëve rusë, vunë në objektiv dhjetëra kompani dhe individë dhe i ngritën vështirësi të reja mundësive të Moskës për të marrë hua.
Rusia denoncoi masat amerikane si “absolutisht jomiqësore dhe të paprovokuara” dhe u përgjigj duke urdhëruar 10 diplomatë amerikanë të largohen, duke futur në listën e zezë tetë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë, si dhe duke shtrënguar rregullat për operacionet e ambasadës amerikane.
Kur urdhëroi sanksionet, Presidenti Biden gjithashtu bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe la një derë të hapur për bashkëpunimin me Rusinë në disa fusha të caktuara.
Presidenti Biden theksoi se i tha Putinit se zgjodhi të mos vendosë tani për tani sanksione më të ashpra dhe propozoi të takohen në një vend të tretë gjatë verës. Rusia tha se po e studionte ofertën.
“Do të kthehem në Moskë gjatë javëve në vazhdim, përpara ndonjë takimi mes Presidentëve Biden dhe Putin”, shprehet Ambasadori Sullivan në deklaratën e të martës.
Zëvendës Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se “ne jemi në fillimet e analizimit të situatës” në lidhje me propozimin e Presidentit Biden për samitin dhe se asnjë specifikë nuk është diskutuar ende. “Një pikëpyetje e madhe është se çfarë kursi do të ndjekin Shtetet e Bashkuara”, tha zoti Ryabkov, sipas njoftimeve të agjencive ruse të lajmeve.
Ndërsa sanksionet e reja amerikane kufizuan më tej mundësinë e Rusisë për të marrë hua, duke ua ndaluar institucioneve financiare amerikane të blejnë bono të qeverisë ruse direkt nga institucionet shtetërore, ato nuk synuan tregun dytësor. Administrata e Presidentit Biden e la të hapur mundësinë për lëvizje më ndëshkuese nëse do të jetë nevojshme.
Fyodor Lukyanov, një ekspert kryesor i politikës së jashtme me seli në Moskë, tha se ndërsa këshillat e Kremlinit për Ambasadorin Sullivan që të largohej për konsultime nuk arritën deri tek dëbimi, ato pasqyrojnë shqetësimin e Moskës për sanksionet e reja.
“Nëse kontaktet politike janë zvogëluar në zero dhe lidhjet ekonomike kurrë nuk kanë qenë mjaft të ngushta, pse kaq shumë njerëz në ambasada?”, tha zoti Lukyanov. Ai parashikon se lidhjet do të vazhdojnë të përkeqësohen pavarësisht nga oferta e Presidentit Biden për të mbajtur një samit.
“Gjatë Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara të paktën ndanin një respekt të caktuar reciprok dhe një njohje të legjitimitetit politik të njëri-tjetrit dhe gjërat nuk janë më kështu”, vuri në dukje zoti Lukyanov.
“Secila palë e sheh tjetrën se po shkon drejt kalbëzimit dhe se i mungon e drejta morale dhe politike për t’u sjellë ashtu siç sillet”, tha ai./voa