Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë Silvio Gonzato deklaroi sot se çështja e barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore është pjesë e të gjitha gjërave që na duhet të luftojmë.
Në një një aktivitet në kuadër të Javës së Evropës, Gonzato foli për rëndësinë e barazisë gjinore.
Ambasadori theksoi se, ka ende hendeqe që ekzistojnë sa i përket barazisë gjinore edhe në nivelet e larta, ndërsa shtoi se, BE po lufton që të ndryshojë këto prirje edhe brenda Evropës, e jo vetëm në Ballkanin Perëndimor.
“Çështja e barazisë gjinore dhe lufta kundër dhunës me bazë gjinore është pjesë e të gjithë gjërave që ne duhet të luftojmë. Ka hendeqe që ekzistojnë sa i përket barazisë gjinore edhe në nivelet e larta, apo ka edhe stereotipa. BE po lufton shumë që të luftojë këtë prirje brenda BE, nuk flas vetëm për situatën në Ballkanin Perëndimor. Kemi ndërmarrë hapa, por nuk mjafton vetëm legjislacioni”, tha ai.
“Në datën 7 maj BE ka miratuar ligjin e parë për dhunën kundër grave që është në fakt një hap evolucioni për të. Kjo direktivë kërkon që shtetet anëtare të kriminalizojnë martesën e detyruar të femrave dhe gjymtimin gjenital të tyre. Janë gjëra që ndodhin edhe në BE. Kemi një trup të tërë legjislacioni në BE që sjell ndikimin e vetë në këto çështje që kanë të bëjnë me barazinë gjinore. Por kjo ka të bëjë edhe me ndryshimin e mendësisë, ndaj edhe ne kemi një sërë projektesh për të mbështetur gratë në lidership, biznes, etj.”, tha Gonzato mes të tjerash.
/Argumentum.al