Nicholas Abbott, ambasadori i ri i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, ka dhënë mesazhin e tij të parë pas marrjes së detyrës.
Ambasadori shprehet se ka mision për ta çuar bashkëpunimin dhe partneritetin mes dy palëve në nivel tjetër.
“Jam këtu për të ngritur partneritetin tonë në lartësi të reja. Ne kemi një themel të fortë, ndaj le të ndërtojmë diçka të jashtëzakonshme së bashku. Ide më të mëdha, lidhje më të forta, të ardhme të ndritur. Një partneritet i vërtetë”, thekson ai.
“Ky është misioni ynë. Siç e dini, rajoni ma ka fituar zemrën dhe Shqipëria është në zemër të rajonit. Heroi juaj kombëtar, Skënderbeu, është shembull i jashtëzakonshëm i dashurisë dhe dedikimit të palëkundur për vendin e tij, duke mishëruar frymën e patriotizmit dhe guximit për të mbrojtur atë që beson. Kemi evente emocionuese në horizont”, shprehet ai.
Abbott thekson se, Mbretëria e Bashkuar është mik i angazhuar për Shqipërinë.
“Ne jemi këtu për të mbështetur Shqipërinë në përmbushjen e potencialit të saj. E di që shumë prej jush, sidomos të rinjtë keni shpresa të mëdha për të ardhmen”, tha ai.
“Në muajt e ardhshëm do të më shihni duke eksploruar vendin tuaj të bukur, nga qytetet e zhurmshme te malet mahnitëse, tek bregdeti i mrekullueshëm, me qëllim t’ju njoh ju, njerëzit që e bëjnë Shqipërinë një vend kaq të veçantë. Le të punojmë së bashku për të krijuar mundësi të reja. Mirë se ju gjeta”, përmbyll mesazhin ambasadori.