Ambasadori i Federatës së Rusisë në Shqipëri, Aleksei Zaitsev, ka sqaruar se nuk ka marrë asnjë ftesë nga kryeministri Edi Rama për darkën me trupin diplomatik që u zhvillua mbrëmjen e së martës (24.12) në Kavajë. Ky reagim vjen pas disa spekulimeve në media, të cilat sugjeruan se Rusia kishte refuzuar të merrte pjesë në këtë ngjarje, duke u bazuar në deklaratën e Ramës. Në përgjigjen e tij, ambasadori rus ka theksuar se është i hapur për dialog me qeverinë shqiptare për çdo çështje të hapur ose komplekse mes Shqipërisë dhe Rusisë.
“Mund të krijohet përshtypja se pala ruse refuzoi të marr pjesë në këtë pritje. Në fakt, autoritetet shqiptare nuk e ftuan ambasadorin rus në Shqipëri, në ngjarjen protokollare të fundvitit. Refuzimi i dialogut dhe bashkëpunimit nuk është zgjedhja jonë”, deklaron shefi i dplomacisë ruse në Tiranë.
Zaitsev thotë se Moska është e hapur për të diskutuar çdo çështje, qoftë edhe ato më komplekse me Tiranën, të cilën e konsideron partnere dhe se asnjëherë s’ka patur për qëllim që të ftohë marrëdhëniet.
“Pala ruse është e gatshme të diskutojë hapur edhe me partnerët shqiptarë, për çdo çështje, qoftë edhe atë më komplekse, për të zhvilluar një bashkëpunim me dobi të ndërsjelltë në interes të vendeve dhe popujve tanë. Nënvizoj, Rusia nuk ka qenë asnjëherë nismëtare e ftohjes së ndërveprimit me Tiranën. Për më tepër, në historinë e marrëdhënieve ruso-shqiptare baza reale për kontradiktat ekzistuese nuk ka”, shprehet Zaitsev për MCN.
Mbrëmjen e së martës, kryeministri Edi Rama mbajti një darkë me trupin diplomatik të huaj në Shqipëri duke theksuar se karrigia e ambasadorit të Rusisë ishte bosh, pasi ky i fundit nuk kishte preferuar të bëhej pjesë.
“Do doja që karrigia e Federatës Ruse të mos ishte bosh sonte, por mungesa e përfaqësuesit të saj nuk ishte zgjedhja jonë. Ishte zgjedhja e rëndë e vendit të tij, për të dalë nga radhët e paqedashësve me një agresion ushtarak të paprovokuar dhe të padrejtë kundër Ukrainës. Ky akt tragjik në pragun e Europës demokratike ka shkaktuar vuajtje të patregueshme, humbje jetësh të panumërta dhe zgjerim shkatërrimesh. Ukraina dhe populli i saj trim meritojnë admirimin tonë, solidaritetin tonë dhe mbështetjen tonë të patundur. Sjelltë viti i ri paqe, një paqe të drejtë, për Ukrainën dhe popullin e saj”, tha Rama dje.
/Argumentum.al