Sot, më 22 shkurt, Ministri i Punëve të Jashtme të Ukrainës Dmytro Kuleba, u shpreh në deklaratën e tij, se kryeqytetet e botës nuk fjetën këtë natë dhe sanksione të ashpra kundër regjimit të Kremlinit do të zbatohen menjëherë. Liderët e vendeve demokratike, dënuan vendimin e Rusisë për njohjen e quasi-republikave, “Republikës Popullore të Doneckut dhe të Luhanskut” dhe folën në mënyrë solidare në mbështetje të Ukrainës dhe integritetit të saj territorial. Ukraina shpreson se këtë herë sanksionet do të jenë të rëndësishme dhe efektive.
Tashmë në sfondin e deklaratave të Putinit për njohjen e quasi- republikave filluan të bien tregjet dhe rubla ruse. Është e rëndësishme që procesi të jetë i pakthyeshëm dhe në përputhje me krimet e kryera nga Rusia kundër Ukrainës.
Vendimi i Rusisë për të njohur pavarësinë e “Republikës Popullore të Doneckut dhe të Luhanskut”, të cilin e përsëriti qartë sipas skenarit gjeorgjian, nuk lë asnjë dyshim për qëllimet reale të Kremlinit.
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta dhe Ministrja e Jashtme e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhacka, kanë reaguar menjëherë duke bere thirrje për të dënuar kategorikisht shkeljet brutale nga Rusia, të së drejtës ndërkombëtare nëpërmjet njohjes së “Republikës Popullore të Doneckut dhe të Luhanskut”. Presidenti, në veçanti, theksoi se ky vendim prishi marrëveshjet e Minskut dhe minoi integritetin territorial të Ukrainës. Shqipëria solidarizohet me vendet partnere dhe aleatët në mbështetje të Ukrainës.
Përfaqësuesi shqiptar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së protestoi ashpër kundër veprimeve të Rusisë dhe dënoi shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, i bëri thirrje Rusisë të tërheqë trupat nga kufijtë e Ukrainës dhe territoret e pushtuara dhe të ndalojë agresionin nëpërmjet njohjes se republikave fantazmë dhe duke i fryrë ato me armë për qëllime gjeopolitike.
Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se njohja nga Putini i rajoneve lindore të Ukrainës konfirmoi edhe një herë qartë skenarin e Rusisë për shkeljen e ligjit ndërkombëtar dhe sovranitetit të Ukrainës. Dhe kjo nuk është një shkelje e paqes dhe stabilitetit vetëm në Ukrainë, por në të gjithë kontinentin evropian. “Ne duhet të mbështesim menjëherë Ukrainën si një Aleancë e NATO-s dhe duhet të jemi të bashkuar si kurrë më parë,” tha ministri.
Në fjalimin e tij të sotshëm ndaj popullit ukrainas, Presidenti Volodymyr Zelensky vlerësoi mbështetjen e Ukrainës nga komuniteti botëror dhe theksoi se shteti ynë i mbetet besnik rrugës diplomatike për zgjidhjen e konfliktit.
Ukraina e cilëson pa mëdyshje vendimin e Rusisë si shkelje të sovranitetit dhe integritetit territorial të saj, prishje të marrëveshjeve të Minskut dhe formatit negociator të Normandisë.
Sipas nenit 51 të Statutit të OKB-së, Ukraina rezervon të drejtën e mbrojtjes individuale dhe kolektive.
“Ne jemi në tokën tonë. Ne nuk kemi frikë nga asgjë dhe askush. Nuk i kemi borxh asgjë askujt. Dhe ne nuk do t’i lëshojmë asgjë askujt. Dhe ne jemi të sigurt për këtë”, tha presidenti ynë.
Volodymyr Zelensky këmbëngul në punën e plotë të misionit të OSBE-së për të parandaluar provokimet dhe përshkallëzimin e mëtejshëm ushtarak përgjatë vijës së demarkacionit dhe mbledhjen urgjente të Katërshit të Normandisë.