Presidenti Bajram Begaj pranoi sot Letrat Kredenciale nga Ambasadorja e re e Delegacionit të Bashkimit Evropian në vendin tonë, Christiane Hohmann.
Pasi i uroi mirëseardhjen në Shqipëri dhe e siguroi për mbështetjen e tij dhe të institucioneve shqiptare, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen politike dhe asistencën financiare që BE i ka dhënë Shqipërisë në tre dekadat e fundit.
Në mënyrë të veçantë, Presidenti Begaj shprehu mirënjohjen për asistencën financiare të dhënë për përballimin e dëmeve të mëdha nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, si dhe për përballimin e lehtësimin e situatës gjatë pandemisë së COVID-19.
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu besimin se ardhja e Hohmann në Tiranë do t’i japë një shtytje të re marrëdhënieve të Shqipërisë me institucionet e Bashkimit Evropian, si dhe vetë procesit të negociatave të aderimit në BE.
Presidenti Begaj nënvizoi ndër të tjera dhe vullnetin politik të institucioneve shqiptare për të përparuar në rrugën e reformave, duke theksuar se integrimi evropian mbetet projekti dhe prioriteti më madhor i Shqipërisë dhe shqiptarëve.
“I ndërgjegjshëm për sfidat dhe vështirësitë që vetë BE-ja e vendet anëtare të saj po kalojnë pas agresionit rus në Ukrainë, shpreh besimin se vëmendja e Bashkimit Evropian ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor do të jetë edhe më e madhe, duke e konsideruar procesin e zgjerimit si instrumentin më të mirë gjeopolitik për adresimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë së rajonit dhe të kontinentit në tërësi”, nënvizoi Presidenti Begaj.
Ambasadorja Hohmann e uroi Presidentin Begaj për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit. Ajo foli për progresin e arritur nga Shqipëria deri tani dhe sfidat që ka përpara, ndërsa vendi nis një kapitull të ri në rrugën e tij drejt BE-së.
“Procesi i anëtarësimit në BE ka nevojë për përpjekje të qëndrueshme reformash nga Shqipëria përtej procesit të negociatave. Unë dhe ekipi i Delegacionit të BE-së në Shqipëri jemi gati ta mbështesim vendin dhe popullin e tij në këtë rrugë emocionuese drejt anëtarësimit në BE”, tha Ambasadorja Hohmann.
Ambasadorja Hohmann ka shërbyer si ambasadore e Gjermanisë në Estoni dhe më parë si ambasadore në Bosnje dhe Hercegovinë. Para kësaj, Ambasadorja Hohmann ka mbajtur poste të ndryshme diplomatike në SHBA dhe në Komisionin Evropian.