Ambasadorja e Francës në Shqipëri, Elisabeth Barsacq, deklaroi sot se, do të bëj ç’është e mundur që Shqipëria një ditë të jetë anëtare e BE-së.
Duke folur për mediet nga Elbasani, e pyetur për integrimin e Shqipërisë në BE, Barsacq theksoi se, “tani jemi në një periudhë tjetër. Duhet ta keni të gjithë parasysh se në mars të këtij viti Këshilli Europian vendosi që negociatat me Shqipërinë do të hapen. Ajo që po bëjmë tani është se po shohim si do të negociohet në të ardhmen”.
“Nuk ka hapa prapa, ne jemi gjithmonë të mendimit që ne duam të hapim negociatat. Siç e dini mirë ka kushte për të plotësuar, siç janë shteti i së drejtës, lufta kundër korrupsionit. Janë kushte që janë vënë, të cilat s’dua t’i përmend të gjithë me radhë. Dhe kjo nuk varet as nga Franca, as nga Kroacia, apo nga Polonia, por kjo varet e gjitha nga Shqipëria. Kjo është situata”, tha ambasadorja franceze.
“Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe mes Francës dhe Shqipërisë, kemi një lajm shumë të mirë atë të ardhjes në Shqipëri të Agjencisë Franceze të Zhvillimit, e cila do të vijë këtu dhe do të financojë projekte bashkëpunimi me qeverinë shqiptare”, nënvizoi ajo.
“Të gjitha këto ne i bëjmë së bashku me vendet e tjera të BE, sepse duhet ta dini që BE është partneri numër një i Shqipërisë sa i përket ndihmës publike, përsa i përket projekteve për modernizimin e administratës publike. Pra BE është partneri numër një i Shqipërisë, para çdo lloj partneriteti tjetër. Dhe kjo është fare normale sepse Shqipëria është një vend europian. Ky është një proces pune i cili po zhvillohet dhe Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që një ditë të jetë anëtare e BE. Puna ime këtu si dhe puna e të gjithë ambasadorëve të BE në Shqipëri është të punojmë se bashku për të ndihmuar Shqipërinë t’ja arrijë këtij qëllimi”, tha ajo.
E pyetur nëse do të jetë kritike me politikën shqiptare si paraardhësja e saj Chrisitne Vasak, ambasadorja franceze u shpreh se, “nuk kam ndërmend të kritikoj as punën e ambasadores paraardhëse as politikën shqiptare. Siç e dini përpara se të marrë funksionin e tij një ambasador në Paris, fillon të marrë njohuri për vendin ku do të shkojë. Dhe kur isha në Paris dhe po informohesha i thashë vetes time që do të bëj ç’është e mundur që Shqipëria një ditë të jetë anëtare e BE. Por kjo s’do të thotë që dhe Shqipëria mos të bëjë detyrën e vet. Dhe kjo është detyra që i vura vetes dhe mesazhi që më dhanë si ambasadore shko atje dhe bëj ç’është e mundur që Shqipëria të jetë anëtare e BE”, theksoi ambasadorja e Francës, Elisabeth Barsacq./ ata