Në artikull vihet në dukje se në vitet ’60 dhe ’70 të shekullit të kaluar, populli kinez dhe ai shqiptar shkruan bashkërisht historinë e miqësisë që kapërcen malet e detet. Mbi 140 objekte me ndihmën kineze i dhanë mbështetje të rëndësishme zhvillimit ekonomik e shoqëror të Shqipërisë dhe një pjesë prej tyre luajnë rol edhe sot. Ndërkohë, Shqipëria është ndër vendet e para që e njohën Republikën Popullore të Kinës dhe vendosën marrëdhënie diplomatike me të, dhe dha kontribut historik për rivendosjen e të drejtave të ligjshme të RP të Kinës në OKB. Pavarësisht nga ndryshimet në situatën ndërkombëtare, ndjenjat miqësore janë ruajtur gjithmonë në zemrat e të dy popujve.
Në shekullin e ri, Kina dhe Shqipëria kanë ruajtur prirjen e zhvillimit të qëndrueshëm, me ndërveprime të shpeshta midis liderëve të të dy vendeve dhe me thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ekonomiko-tregtar, teksa shkëmbimet njerëzore janë bërë më të ngushta. Në vitin 2023, vëllimi i tregtisë kino-shqiptare arriti në 1 miliard e 32 milionë dollarë amerikanë dhe Kina është bërë partnerja e dytë më e madhe tregtare e Shqipërisë. Të dyja vendet kanë përfunduar procesin e dhënies së lejes për hyrjen në Kinë të produkteve bujqësore cilësore shqiptare, si mjalti, bulmeti etj., nënshkruan memorandumin e mirëkuptimit për bashkëpunimin turistik dhe marrëveshjen e heqjes së ndërsjellë të vizave, gjë që ka lehtësuar shkëmbimet njerëzore midis dy vendeve. Të gjitha këto na shtojnë besimin për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, shkruan ambasadorja Pang në artikull.
Në situatën e tanishme ndërkombëtare me ndryshime dhe trazira, Kina është në anën e drejtësisë e të paqes dhe është e gatshme të përpiqet me të gjitha vendet paqedashëse për të mbrojtur bashkërisht sistemin ndërkombëtar me OKB-në në thelb dhe rendin ndërkombëtar të bazuar në ligjin ndërkombëtar, për të kundërshtuar hegjemonizmin e politikën e forcës të çdo forme dhe për të zbatuar multilateralizmin e vërtetë, duke dhënë kontribut më të madh për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin e botës, përfundon artikulli i ambasadores Pang i botuar në “Gazetën shqiptare”./CRI