Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot gjatë aktivitetit për Menaxhimin e Kufirit të Integruar në kufirin Qafë-Thanë tha se shpreson që konferenca ndërqeveritare e BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut të hapet sa më shpejt që të jetë e mundur.
“Kjo zonë kufitare nxjerr në pah një shembull tjetër se si ndihma e SHBA po e bën rajonin e Ballkanit Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më miqësor ndaj biznesit. Ne jemi palë në këto zhvillime historike dhe jemi të nderuar që jemi në gjendje të shohim vullnetin e mirë dhe bashkëpunimin të transformuar në ndryshime të prekshme që të gjithë mund t’i shohim dhe t’i ndiejmë”, tha Kim.
“Do të doja të përgëzoja Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për nënshkrimin e Marrëveshjes Dypalëshe për Pikat e Përbashkëta Kufitare. Ne mirëpresim që të shohim Parlamentet tuaja përkatëse të ratifikojnë plotësisht këtë marrëveshje, e cila do të jetë një tjetër hap përpara drejt së ardhmes tuaj si anëtare të plota në Bashkimin Europian, si dhe përforcon atë që tashmë është një partneritet trans-atlantik në zhvillim e sipër”, tha Kim.
“Nuk mund të theksoj mjaftueshëm rëndësinë e tregtisë rajonale, bashkëpunimit ekonomik dhe risinë e nxitur nga ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon. Mjetet dhe pajisjet e siguruara nga USAID, së bashku me punën në ekip dhe bashkëpunimin e ngushtë midis të dyja palëve, do të sigurojnë që autoritetet doganore në Qafë Thanë – Kjafasan të arrijnë standarde të larta përsa i përket procedurave kufitare, duke mundësuar një mjedis që ndihmon biznesin dhe kontrollin e sigurisë”, u shpreh Kim.
“Sot, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Dhe siç ka thënë ambasadori Byrnes, Shtetet e Bashkuara do të mbështesin fuqimisht, fuqimisht të ardhmen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE, si anëtare të plota. Shpresojmë që konferenca ndërqeveritare të hapet sa më shpejt që të jetë e mundur. Duke punuar së bashku, siç kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut këtu në kufi, tregon se këto dy vende janë qartësisht të gatshme të bëjnë punën e vështirë për t’u integruar, për t’u bërë europianë. Ne shpresojmë që të vazhdojmë t’ju mbështesim dhe të punojmë me ju tani dhe në të ardhmen”, tha Kim./ata