Ambasada amerikane ka zbardhur takimin e diplomates amerikane Yuri Kim me kreun e ri të SPAK mesditën e sotme. Në fjalën e saj Kim ka theksuar sërish mbështetjen që SHBA do të vazhdojë që të japë për Reformën në Drejtësi, ndërsa nënvizoi faktin se duhet çuar para lufta kundër korrupsionit si interes thelbësor i sigurisë kombëtare të SHBA-së.
Njoftimi i plotë nga Ambasada Amerikane
“Ambasadorja Yuri Kim u takua sot me Kreun e ri të SPAK, Altin Dumani, për ta uruar atë për postin e tij të ri drejtues. Ajo ritheksoi që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin fort zbatimin e reformës në drejtësi, një kërkesë për aspiratat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Në këtë drejtim dhe për të çuar përpara jetësimin e faktit që Presidenti Biden e ka identifikuar luftën kundër korrupsionit si interes thelbësor të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara, ne do të mbështesim plotësisht prokurorët dhe hetuesit e SPAK teksa ndërtojnë mbi sukseset e deritanishme dhe intensifikojnë ndjekjen penale të korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, në përputhje me ligjin, pa frikë apo favore. Askush nuk është mbi ligjin”.