Dhoma Amerikane e Tregtisë prezantoi imazhin e ri të identitetit në prag të 20-vjetorit të themelimit të saj dhe përpara Asamblesë së Përgjithshme, e cila do mbahet në 15 Tetor.
Imazhi i ri i AmCham simbolizon partneritetin midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, si dhe përfaqëson evoluimin e organizatës, në dy dekada mbështetje ndaj komunitetit të biznesit.
“I frymëzuar nga lidhja e fortë mes Shqipërisë dhe SHBA, identiteti i ri i Dhomës Amerikane ndërthur elementin e qëndrueshmërisë së partneritetit në një stil të thjeshtë, inovativ dhe modern dhe imazhi i ri vizual i AmCham shkrin në një element të vetëm unik, simbolin përfaqësues të të dy vendeve – ngjyrën e kuqe dhe blu, të flamurit Amerikan dhe shqiponja dykrenare, simbol i flamurit Shqiptar”, bën të ditur AmCham.
Në vijim të traditës së saj në këto 20 vite, AmCham informoi se do të vijojë të shërbejë si një rrjet efektiv në shkëmbimin e ideve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare të të bërit biznes, duke ofruar një platformë të konsoliduar bashkëpunimi midis bizneseve Amerikane, Ndërkombëtare dhe Shqiptare si dhe me sektorin privat, qeverinë dhe institucionet publike.
Sipas Dhomës Amerikane të tregtisë identiteti i ri është pjesë e Planit Strategjik të AmCham, i cili parashikon rritjen e efektivitetit të aktiviteteve të dhomës, ndikimin në përmirësimin e legjislacionit dhe klimës së biznesit në vend si dhe transformimin e Shqipërisë në një vend tërheqës rajonal për projekte strategjike nga investitorë Amerikanë dhe ndërkombëtarë./ata