A është SHBA ende një shembull për demokracinë dhe lirinë? Pas trazirave të përgjakshme në Kapitol po shtohen dyshimet.
„Demokracia amerikane i mbijetoi Donald Trumpit; por atij nuk i ka mbijetuar imazhi, që gëzonte deri tani në botë demokracia amerikane”, analizon politologu i njohur bullgar Ivan Krastev në intervistë për DW sulmin e mbështetësve të Trumpit në Kapitol.
Pra a mund të shërbejë më SHBA si një model për kombet e tjera? Përgjigjet ndaj kësaj pyetjeje janë krejt të ndryshme.
Eksperti moskovit: „SHBA nuk mund të jenë model”
Në Rusi p.sh. janë të shumtë ata që ende e kujtojnë kohën pak pas shpërbërjes së Bashkimit të Republikave Socialiste Sovjetike (BRSS). „Asokohe SHBA ishin modeli ynë i madh”, thotë për DW Alexander Baunov nga Carnegie Center. Në fillim të viteve 90-të shumë rusë besonin, që gjithçka në SHBA është më mirë se në Moskë. Me kalimin e viteve u shtuan dyshimet ndaj këtij modeli, thotë eksperti i Think-Tank-ut. „Madje edhe tek forcat liberale,” mendon Baunov, i cili dikur ka punuar edhe në Ministrinë e Jashtme ruse. Amerika si model është zbehur më së voni me zgjedhjen e Donald Trumpit. Kremlini me fitoren e Trumpit ndjeu të konfirmohej këndvështrimi i tij ndaj botës, sipas të cilit shoqëritë perëndimore janë shumë më keq, ndryshe nga sa e paraqesin veten ato; Ndaj Amerika nuk mund të jetë model për kombet e tjera. Baunov mendon, se sulmi i mbështetësve të Trumpit ndaj Kongresit vetëm sa e ka përforcuar mendimin negativ të shumë rusëve ndaj amerikanëve. Një imazh, që është karakterizuar edhe prej investimeve të „dyshimta” ushtarake në botë. Sulmi ndaj Kongresit ndonëse ishte i papritur, nuk shënon ndonjë „pikë-kthese”, thotë eksperti nga Moska.
„Institucionet e SHBA-së i bënë ballë sulmit”
Krejt ndryshe e sheh këtë Peter Ammon, një sekretar shteti në Ministrinë e Jashtme, që nga viti 2011 deri më 2014 ka qenë ambasador i SHBA-së. Edhe ai thotë, se u shokua prej sulmit ndaj simboleve të demokracisë amerikane. Por vendimtare është, se si doli „beteja” në fund. „Institucionet më shumë se 200 vjet të vjetra të demokracisë rezistuan,” analizon për ai për DW. Në fund të fundit Kongresi vendosi, që të njihet fitorja e Joe Bidenit. „Institucionet e Amerikës i rezistuan sulmit”, thotë diplomati. Amerika vazhdon të jetë „themeli i Perëndimit”. Anë e mbanë në botë po shtohet numri i regjimeve autoritare, vëren Ammon. Imazhet e sulmit në Kapitol do të karakterizojnë presidentin e ri Biden, parashikon ish-ambasadori gjerman në Uashington. Nuk duhet të ketë një „edhe më tej kështu”. Përballja mes grupeve të ndryshme shoqërore është ashpërsuar.
„Dështim i shtetit”
Edhe përpara zgjedhjes së Donald Trump kështu ka qenë, nënvizon deputetja socialdemokrate Dagmar Freitag në bisedë për DW. Ajo është një ndër ekspertet kryesore për SHBA-në në Bundestag (parlamenti gjerman). Përpara katër vjetësh u përhap pakënaqësia ndaj Uashingtonit lidhur me zgjedhjen e Trumpit. Presidenti e ka çuar vendin në humnerë. Imazhet e trazirave në Kapitol do të mbeten në kujtesën e miliona njerëzve. Ajo e quan këtë “dështim të shtetit”. Për SHBA-në do të jetë e vështirë “të mbetet një komb lider që mishëron vlerat demokratike”, beson ekspertja e politikës së jashtme në partinë socialdemokrate. SHBA-së do t’i duhet mundim për ta rifituar pretendimin e të qenit model.
Demokracia rezistoi
Sigurisht funksioni i të qenit model është goditur; edhe sa i përket një ndryshimi paqësor të pushtetit në SHBA, thekson në bisedë për DW prof. Britta Waldschmidt-Nelson nga Universiteti i Augsburgut. Megjithatë nuk bëhet fjalë për „dështimin e një modeli të demokracisë perëndimore”, sikurse pretendon p.sh. regjimi në Iran. Eshtë pikërisht e kundërta, mendon historiania. Demokracia e SHBA-së, institucionet në fund të fundit kanë rezistuar. „Madje demokracia rezistoi pavarësisht armiqësive të forta të populistëve dhe një turme të acaruar”, thotë prof. Britta Waldschmidt-Nelson. Një rrezik mbetet megjithatë, që shumë amerikanë rrezikojnë të humbasin besimin tek funksionimi i sistemit të tyre./dw