Demokratët në Kongresin amerikan po punojnë që në javët e ardhshme të fillojnë seancat e para dëgjimore publike për shkarkimin e Donald Trump nëpërmjet procedurës së njohur si impeachment.
Amerikanët ndërkohë janë të ndarë sa i përket shkarkimit të presidentit nëpërmjet kësaj procedure, thotë një sondazh i publikuar së fundmi nga ABC dhe Washington Post. 82% e demokratëve janë në favor të shkarkimit, ndërsa mes republikanëve kjo shifër fiksohet në 18%. Për të pavarurit, 47% duan shkarkimin.
Por, pavarësisht ndasive të mëdha, rreshtimi i atyre në favor të shkarkimit është bindshëm më i madh se në rastin e Bill Clinton në vitin 1998. 58% e të anketuarve nuk janë dakord me përgjigjen e Trump ndaj kësaj procedure të Kongresit, ndërkohë që 50% nuk janë dakord me mënyrën se si Kongresi amerikan e ka menaxhuar çështjen.
Pas seancave dëgjimore, Kongresi amerikan do të votojë mbi të gjitha pikat e procedurës së impeachment të presidentit amerikan, me shumë gjasa brenda fundit të vitit.