Ish-kryeministrja dhe nënkryetarja e Partisë Progresive Serbe, Ana Brnabiq, u zgjodh kryetare e re e Kuvendit të Serbisë. Për emërimin e saj votuan 153 deputetë, pesë ishin kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim.
Përfaqësuesit e opozitës nuk morën pjesë në votim, të cilët u larguan nga salla para votimit. Seanca konstituive u kryesua nga Stojan Radenoviq si deputeti më i vjetër në mbledhjen e katërmbëdhjetë të parlamentit dhe Brnabiq ishte kandidati i vetëm i propozuar.
Ana Bërnabiq u propozua nga SNS-ja, një parti e cila, së bashku me partnerët e saj në listën e saj zgjedhore, ka shumicën prej 129 nga 250 ulëse në Kuvend.
Propozimi që Bërnabiq të zgjidhet kryetare e Kuvendit u përcoll me një debat treditor, i cili u karakterizuan me ofendime dhe të bërtitura ndaj deputetëve.
Gjatë debatit, deputetët e opozitës e kritikuan propozimin e Qeverisë për zgjedhjen e Bërnabiqit në krye të Kuvendit.
Shefi i grupit parlamentar të partisë në pushtet, Millenko Jovanov, tha se lista opozitare “Serbia kundër dhunës” i ndan njerëzit dhe imiton elitën.
“Ju jeni një elitë ashtu siç jam unë një astronaut. Epo, ju jeni një elitë e tillë”, tha Jovanov.
Brnabiq tha se opozita ka kërkuar nga Parlamenti Evropian “të shfuqizojë sovranitetin e Serbisë dhe Kuvendit”. Ajo tha se Parlamenti Evropian nuk do të jetë mbi parlamentin serb.
“Nuk ju mjaftoi një rezolutë e PE-së, të cilën e sollët vetë dhe e cila kërkon heqjen e sovranitetit të Serbisë, që PE-ja të mund të pezullojë ligjet tona. Dhe, nuk ju mjaftoi ai turp, po na kërcënoni me një rezoluta e re e PE”, tha Bërnabiq.
Më 8 shkurt, Parlamenti Evropian (PE) miratoi një rezolutë që kërkon një hetim ndërkombëtar për parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit dhe pezullimin e financave të BE-së për Serbinë në rast se vërtetohet se autoritetet kanë kryer mashtrime zgjedhore.