“Serbia kërkon zgjerim territorial e sidomos dalje në det me një politikë imperialiste dhe objektiv kryesor ka Malin e Zi”, shkruan ndër të tjera në analizën e tij për Institutin “Octopus“, eksperti i Octopus, DR. Gurakuç Kuçi*
Analiza e tij e titulluar “Rreziqet dhe rikonfigurimet gjeopolitike: Serbia dhe sfida e stabilitetit të Malit të Zi” tregon se “partitë e orientimit pro-rus dhe pro-serb”, të cilat kanë qenë të pranishme në disa nga kombinimet në qeverinë e Malit të Zi që nga viti 2020, “duke bashkëpunuar edhe me Kishën serbe ndjekin në mënyrë të prerë përpjekjen e Beogradit për të ndryshuar struktura etnike në këtë vend”.
Në konkluzionet e kësaj analize, DR. Gurakuç Kuçi thekson:
Gjeografia është një faktor kyç në përcaktimin e fatit të një vendi. Në skenën ndërkombëtare, vende të vogla por të pozicionuara strategjikisht si Mali i Zi janë të përfshirë në sfida të mëdha dhe janë nën presionin e fqinjëve të tyre me mendje imperialiste. Serbia, me një histori të madhe hegjemoniste rajonale, mbetet e vendosur në rrugën e saj, duke mos u përpjekur të ndryshojë edhe pse perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj Perëndimit është aty. Edhe pse Mali i Zi ka vazhduar rrugëtimin e tij drejt strukturave perëndimore deri në vitin 2020, ai tani është sfiduar nga partitë me orientim pro-rus dhe pro-serb. Kjo, në bashkëpunim me Kishën Ortodokse Serbe, ka paralajmëruar sfera të reja ndikimi, ndërhyrje e cila u theksua së fundmi me përpjekjen për ndryshimin e strukturës etnike në Mal të Zi nga Serbia.
Përtej kësaj, Serbia, në kërkim të zgjerimit territorial dhe daljes në det, me një politikë imperialiste, ka si objektiv kryesor Malin e Zi. Ndërkohë, ndihmat ruse po rrisin presionin përmes luftës hibride, duke përdorur metoda të ndryshme për të arritur qëllimet e tyre. Këtu përfshihen: – vrasjet politike si p.sh. atentati ndaj Gjukanoviqit për ndryshimin e qasjes së Malit të Zi dhe ndalimin e anëtarësimit të tij në NATO. – partitë politike, duke mbështetur subjekte të ndryshme, kryesisht të ekstremit të djathtë, duke shfrytëzuar brishtësinë e demokracisë dhe duke legalizuar çështjen e tyre etnike. – zgjedhjet zgjedhore duke krijuar sa më shumë subjekte të cilat më pas arrijnë të ndajnë votat e partive të mëdha që nuk janë në interesin pro serb dhe rus. – ndikim përmes propagandës së ndryshimit si ato para regjistrimit që përmendëm në punim.
“Mali i Zi, një ent i vogël, por me një vendndodhje unike dhe të rëndësishme, me dalje në detin Adriatik, është vendosur në qendër të një loje të madhe gjeopolitike ndërkombëtare”, thuhet në shkrim. Ndihma ruse për Serbinë në këto përpjekje rrit presionin përmes luftës hibride, duke përdorur metoda të ndryshme për të arritur qëllimet e saj.
Nëse lufta hibride e Rusisë dhe Serbisë nuk ndalet, opsionet e mundshme për Malin e Zi janë pesë:
Opsioni 1. “Maqedonia e Veriut”. Serbët në Mal të Zi – si shqiptarët në Maqedoninë e Veriut – do të kenë të drejta më të mëdha për gjuhën e tyre dhe më e rëndësishmja – përfaqësim më të madh dhe të garantuar në të gjitha nivelet dhe në të gjitha strukturat e pushtetit.
Opsioni 2. “Bosnje-Hercegovina”. Ky opsion parashikon federalizimin e Malit të Zi, duke përfshirë ndryshimin nga një sistem unitar në një sistem federal, si dhe krijimin e autonomisë serbe.
Opsioni 3. “Kosova” – Ky opsion parasheh që të krijohet një Asociacion për komunën me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.
Opsioni 4. “Referendumi”. Ky opsion tenton të kthehet nën Serbinë në të njëjtën formë si u shpall shteti i Malit të Zi, qoftë si bashkim ose si bashkim i plotë.
Opsioni 5. “Rrethanat gjeopolitike”. Serbia mund të presë dhe të ngadalësojë të gjitha proceset në Ballkanin Perëndimor derisa të ndryshojnë rrethanat gjeopolitike dhe ekuilibri i forcave, ndoshta në favor të Rusisë dhe Kinës, ku si rezultat mund ta marrë lirisht Malin e Zi me ose pa luftë.
Lufta hibride dhe përpjekjet për ndikim po nxisin tensionet në rajon, duke krijuar një atmosferë të pasigurt dhe sfiduese, veçanërisht për Malin e Zi dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky realitet i krijuar nga Rusia dhe Serbia mund të ndryshohet vetëm me një përfshirje të fortë të komunitetit ndërkombëtar, me theks të veçantë në NATO, SHBA dhe BE. Është koha që të ndalet “politika e zbutjes” ndaj Serbisë dhe të përqendrohet vëmendja drejt veprimeve agresive, siç ishte akti i dhunshëm në Banjskë të Kosovës në shtator 2023 dhe ndërhyrjet e vazhdueshme në Bosnje dhe Mal të Zi. Vetëm përmes një qasjeje të përbashkët dhe vendosmërisë së përbashkët komuniteti ndërkombëtar mund të ndalojë përhapjen e ndikimit dhe destabilizimin e rajonit. Shembulli i Putinit dhe Hitlerit dëshmon se sa e pavlefshme është “politika e qetësimit” me diktatorët nazi-fashistë.
*Analiza e plotë e publikuar në origjinal për Institutin “Octopus“
/Argumentum.al