EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Jorgji KOTE & Marjana DODA
Viti 2022 ishte shumë më i ngarkuar se vitet e tjera me ngjarje madhore dhe epokale në të gjitha fushat dhe në të gjithë globin, duke prekur Europën dhe rajonin tonë. Padyshim që mbizotëroi agresioni rus ndaj Ukrainës, i shoqëruar nga akte, veprime, forume dhe vendime të shumëllojshme nga qendrat më të mëdha të politikës dhe diplomacisë botërore, europiane dhe rajonale.
Mbi këtë bazë, në dy pjesët e kësaj analize përmbledhëse do ndalemi në momentet dhe eventet më kryesore, bashkë me një analizë “flash” të pasojave dhe rrjedhojave të tyre, me theks rajonin dhe sidomos vendin tonë. Nisur nga numri i tyre i madh, për lehtësi praktike dhe për të shmangur përsëritjen tematike, me përjashtim të vendit tonë, ku do të ndalemi posaçërisht në fund të këtij materiali, këto ngjarje kryesore nuk po i paraqesim një e nga një, por së bashku, në lidhjen dhe vartësinë e tyre të natyrshme.
Më 24 shkurt 2022, Rusia filloi agresionin ushtarak në shkallë të gjerë kundër Ukrainës.
Agresioni rus, me objektiv pushtimin e Ukrainës, si konflikti më i madh i armatosur në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, ka shkaktuar dëme dhe pasoja të pallogaritshme njerëzore, materiale dhe financiare; veç mijra viktimave ushtarake e civile, janë zhvendosur 15.7 milionë ukrainas (8 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe 7.7 milionë refugjatë). Sipas të dhënave paraprake, dëmet materiale dhe në infrastrukturën ukrainase llogariten në 750 miliard Euro. GDP-ja e saj ka rënë në masën 45 për qind, etj.
Ka një konsensus mbizotërues ndërkombëtar, duke përfshirë dhe aleatë të saj, se Rusia kreu një agresion dhe një luftë të padrejtë, të pajustifikuar dhe të paprovokuar ndaj një vendi fqinj, i cili aspiron integrimin Euro – Atlantik; kjo e fundit është vendim sovran i Ukrainës dhe organizatave përkatëse. Sa për gjoja kërcënimin nga NATO, dihet se ajo është aleancë politiko-ushtarake me karakter mbrojtës dhe asnjëherë në historinë e saj 73 vjeçare nuk ka kërcënuar, aluduar apo sulmuar kërkënd. Madje, NATO dhe Rusia kanë patur bashkëpunim ushtarak dhe një Komitet të Përbashkët, për trajtimin dhe zgjidhjen paqësore të problemeve dhe mosmarrëveshjeve që lindin. Pranohet gnithashtu gjerësisht se duke sulmuar dhe goditur edhe ushtarakisht Ukrainën, Rusia synonte t’i jepte mësime dhe mesazhe kërcënuese Aleancës politike, ushtarake dhe ekonomike perendimore si dhe përçarjen e saj.
Agresioni rus ndaj Ukrainës shkaktoi një Cunam të vërtetë, duke tronditur nga themelet rendin botëror, të drejtën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare planetare. Veç cënimit brutal të armatosur të sovranitetit dhe integritetit territorial të një vendi të pavarur, antar i OKB-së, OSBE-së, KiE-së, etj Rusia ka vënë në rrezik paqen, rendin, sigurinë dhe stabilitetin në të gjithë Europën dhe më gjerë. Sepse tashmë agresori është një vend i madh, me potencial të konsiderueshëm ushtarak dhe ekonomik, antar i Këshillit të Përhershëm të Sigurimit të OKB-së, prodhues dhe eksportus nga më të mëdhenjtë në botë të nafëts, gazit, drithrave, etj.
Ky agresion rrezikon seriozisht kthimin prapa në periudhën famëkeqe të Luftës së Ftohtë. Për fat të keq, liderët rusë injoruan të gjitha thirjet dhe demarshet e liderëve perendimorë; në vend të kanaleve diplomatike, duke folur dhe vepruar me gjuhën e forcës, të tankeve raketave dhe kërcënimit bërthamor.
Gjithsesi, Rusia dështoi në synimin e saj për një fitore të shpejtë; në fakt ajo ka dështuar në të gjitha planet, politike, ekonomike, dhe të sigurisë. Populli, ushtria dhe lidershipi politik ukrainas, me qëndresën e tyre heroike dhe mbështetjen e fuqishme të Perëndimit po triumfon dhe në planin ushtarak.
Rusia ka dështuar rëndë dhe në planin diplomatik dhe të imazhit ndërkombëtar. OKB ka dënuar me 2 – 3 rezoluta këtë agresion, madje duke kërkuar dghe hetimin e saj për genocid dhe krime lufte; shumica dërmuese e vendeve antare kanë vendosur sanksione të rënda ekonomike; edhe Kina, ndonëse aleate e saj, i ka kundërshtuar kërcënimet ruse për luftë bërthamore dhe është shprehur kundër aneksimit të Ukrainës.
Rusia dhe Putini dëshmuan se i kishin bërë gabim llogaritë politike dhe ushtarake; ndryshe nga sa shpresonte, Perëndimi, BE dhe NATO, SHBA-të dhe Europa, Japonia, Korea e Jugut, Kanadaja, Australia dhe Zelanda e Re, pavarësisht nga mosmarrëveshjet e mëparshme u bashkuan në një kohezion të paparë politik dhe ushtarak të ngjashëm me atë të Luftës së II Botërore.
Vështirë të ketë forum dhe organizatë ndërkombëtare që nuk e ka dënuar këtë agresion dhe nuk ka shprehur solidaritetin me Ukrainën. G – 7, G-20, FMN dhe Banka Botërore në Samitet e tyre gjatë këtij viti kanë ndërmarrë masa të ashpra ekonomike dhe tregtare ndaj Rusisë; ndërkohë, ato kanë premtuar dhjetra miliarda Euro ndihma të gjithanshme për Ukrainën dhe në përgjithësi shmangien e efekteve negative të krizës energjitike dhe ushqimore.
Shquhet në këtë fushë padyshim SHBA-të, të cilat kanë premtuar një shumë prej 52 Miliard Euro ndihma financiare, veç ndihmave të tjera të shumta ushqimore, ushtarake, teknike, etj. Po ashtu, veç ndihmave dypalëshe, BE-ja, ka premtuar 38 Miliard Euro ndihma financiare dhe ka miratuar 9 paketa me sanksione nga më të ashprat ndaj Rusisë, ose një paketë në muaj!
Në këtë kuadër, Perëndimi po i bën një analizë tërësore doktrinave, shkollave të mendimit dhe veprimit ideologjik, politik, ekonomik dhe tregtar. Lufta në Ukrainë u dha fund spekulimeve mbi globalizmin naiv, sipas të cilit problemet dhe konfliktet sado të dhunshme mund të lehtësohen dhe vihen në rrugën e zgjidhjes nëpërmjet nxitjes së bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, ose “ change through trade” ( ndryshim nëpërmjet tregtisë) duke përfituar nga tarifat e lira Ruse, Kineze, etj sidomos në rastin e gazit, naftës dhe energjisë. Tashmë, në krye të përparësive dhe në fushën ekonomike/ tregtare ka dalë aspekti politik, besueshmëria dhe garancitë politike, duke reduktuar ndjeshëm bashkëpunimin ekonomik me vendet autoritariste.
Gjithsesi, dhe për disa vite, vendet e BE-së, sidomos Gjermania, Franca, Hungaria, etj pavarësisht nga masat e menjëhershme në këto fusha, do të vazhdojnë të vuajnë pasojat e politikave të tyre të gabuara të vartësisë ndaj gazit dhe energjisë ruse e kineze. Kështu, BE-ja deri tani siguonte 40 për qind të nevojave të saj të gazit nga Rusia, ndërsa Gjermania dhe vende të tjera dhe më shumë.
Natyrisht që NATO ka qenë dhe mbetet në krye të punës, masave dhe përpjekjeve për t’iu kundërvënë me sukses në të gjitha planet agresionit të egër rus.
Spikat Samiti i saj në Madrid me 30 Qershor, i cili përcaktoi strategjinë e re të sigurisë së NATO-s 2030, me theks të veçantë në qëndrimin ndaj Rusisë dhe Kinës si rivale kërcënuese. Ajo pasqyron ndryshimet epokale në vendet antare në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Në këtë drejtim u shqua Gjermania, e cila më 27 Shkurt shpalli “ Zeitwende” dmth ndryshimin historik në strategjinë e saj të mbrojtjes dhe të sigurisë; këtu përfshihet fondi special i garancisë së mbrojtjes prej 100 miliard Euro, ose dyfishi i atij ekzistues, realizimi i kuotës mbi 2 për qind të GDP-së për NATO-n, livrimi i armatimit dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën, çka më parë ishte ndaluar për shkak të pacifizmit tradicional gjerman, etj.
Ndërkohë, NATO po merr masa për shtimin dhe modernizimin e kapaciteteve mbrojtëse luftarake në vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, krijimin dhe dislokimin e komandave dhe njësitë të gatishmërisë së lartë në kufijtë me Rusinë, sofistikimin kibernetik, etj. Po ashtu, ajo do të shtojë numrin dhe praninë në stërvitjet e ndryshme ushtarake në vendet ish lindore, ku dhe vendi ynë ka rolin dhe vendin e vet. Highlight tjetër ishte konsensusi jo i lehtë për shkak të kundërshtimit turk për antarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO.
Gjatë vitit u zhvilluan zgjedhjet e reja parlamentare në Francë, Suedi, Danimarkë, Itali, Brazil, Izrael dhe Bullgari, dhe ato të mesmandatit në SHBA, me rezultate dhe të papritura të mëdha.
Në zgjedhjet e mesmandatit më 8 Nëntor në SHBA, Republikanët rimuarën me diferencë të vogël Kongresin, ndërsa demokratët siguruan me një vote diferencë Senatin. Ish Presidenti Trump dhe Republikanët dështuan të realizonin fitoren e bujshme ose « valën blu » Gjithsesi, për demokratët dhe Presidentin Biden puna vështirësohet jo pak për zbatimin e reformave madhore, të cilat kërkojnë shumicën e votave në Kongres.
Në Francë rifitoi mandatin e dytë Presidenti Macron, por duke humbur shumicën absolute në Parlament, çka e dobëson pushtetin dhe aftësinë për zbatimin e reformave të rëndësishme brenda, por veçanërisht jashtë vendit, sidomos në fushën e reformave të BE-së, NATO-s, etj. Suksesi i tij do të jetë vendimtar për të shmangur fuqizimin e ekstremit të djathtë të Lë Pen.
Fitorja e ish Presidentit brazilian Lula da Silva në zgjedhjet parlamentare në Nëntor, duke mundur Presidentin Bolsanero ose « Trumpin »” e Brazilit, populist dhe ekstremist i djathtë u mirëprit nga komuniteti progresiv në botë. Ishte lajm i mirë për demokracinë dhe gjeo-politikën botërore.
Fitorja e Melonit në Itali, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 Shtatorit në Itali Giorgia MELONI, liderja karizmatike 45 vjeçare e ” Fratelli d’Italia”( Vëllezërit e Italisë)fitoi bindshëm. Fitorja e Melonit shënoi një kthesë të madhe historike në peisazhin politik italian dhe europian. Për herë të parë pas vitit 1945 fitoi bujshëm një koalicion i të djathtës ekstreme, i kryesuar nga partia post-fashiste “Vëllezërit e Italisë“ me pjesëmarrjen e ”Lega“ të Matteo Salvinit dhe ”Forza Italia” të Silvio Berlusconit. ” Vëllezërit e Italisë” siguroi 25,5 për qind të votave, nga vetëm 4 për qind më 2018, duke fituar shumicën absolute në të dy dhomat; Meloni do të jetë e para grua kryeministre e qeverisë së 68-të italiane.
Gjithsesi, ndryshe nga pârashikimet, deri tani Meloni ka treguar afërsi dhe pajtim me BE-në dhe NATO-në, çka e tregoi dhe në vizitën saj të parë në Bruksel, fill pas fitores së bujshme.
Në Danimarkë, rifitoi socialistja Frederisken e cila krijoi një qeveri koalicioni me dy parti liberale. Surpriza më e madhe ndodhi në Suedi, ku për herë të parë fitoi një parti e ekstremit të djathtë; por, ajo po vuan për krijimin e një koalicioni. Në Bulgari, sërish asnjë parti nuk po krijon dot koalicion, çka rrezikon që vendi të shkojë në zgjedhjet e pesta parlamentare brenda 2 vitesh, rekord me vehte!
Në Izrael rierdhi në pushtet Netianahu, i akuzuar më parë për shpërdorim posti dhe korrupsion.
Skandali i korrupsionit, pastrimit të parave dhe veprimtarisë kriminale në zemër të Brukselit, në Parlamentin Europian, me protagoniste ish zv.Presidenten e tij Eva Kaili dhe bashkëpuntorë të tjerë të lartë tronditi të gjitha institucionet dhe besueshmërinë e BE-së. Hetimet vijojnë dhe mendohet se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Ky skandal nxorri në pah shumë të meta dhe mangësi në Parlamentin Europian, lidhur me mungesën e kontrollit dhe zbatimit të rregullave për shmangien e korrupsionit dhe veprimtarisë kriminale në drejtim të lobimit në gjirin e eurodeputetëve. Tanimë kërkohet dhe po fillon një reformë e thellë në të gjitha drejtimet, e sidomos në atë të organizimit dhe administrimit të lobimit në BE.
Në fushën e klimës, mbrojtjes së mjedisit dhe luftës ndaj ngrohjes globale, veprimtaria më e rëndësishme e vitit ishte Samiti i COP 27 për Klimën në Sharm El Sheik në Egjipt me 17 – 28 Nëntor, me praninë e 30.000 ekspertëve, zyrtarëve, ministrave, Kryetarëve të Shtetit/qeverive nga 140 vende të botës. Vendimi më i rëndësishëm që u muar me konsensus, ndonëse pa përcaktuar hollësitë e nevojshme teknike ishte krijimi i një fondi të madh për mbulimin e « costs&damages »( kostove dhe dëmeve) të shkaktuara nga ngrohja globale. Megjithatë, pati shumë zhgënjime prej COP 27, mbasi nuk u bë pothuajse asgjë për çështjet e tjera të rëndësishme, sidomos energjitë alternative, pritshmëritë e shumta për s shmangien e ngrohjes globale me 1,5 grade celcius dhe reduktimin e gazrave karbonike.
© 2023 Argumentum