REAL POLITIK FLASH NR. 97
1 – 16 TETOR 2024
Komente “ flash” mbi 4 ngjarjet kryesore, shkurt dhe shqip, vetëm me 1000 fjalë nga analisti i njohur diplomatik,
DR. JORGJI KOTE
1.Anti-gylenizëm dhe neo-otomanizëm ishte synimi i vizitës së Presidentit turk Erdogan në Tiranë me 11 Tetor. Ngjarje me rëndësi për forcimin e bashkëpunimit të gjithshanshëm me Turqinë. Gjithçka shkoi mirë, u nënshkruan marrëveshje, u dhuruan dronë kamikazë, u bënë deklarata miqësore dhe u inugurua ndonëse me shumë vonesë xhamia e Namasgjasë, më e madhja në Ballkan. Qëndrimi dhe deklaratat e Kryeministrit Rama ishin korrekte nga çdo aspekt politik, diplomatik dhe njerëzor. Sa për kritikat se përse u lejua që Erdogani të bënte sulme politike ndaj një vendi tjetër nga xhamia apo dhe ndonjë aspekt tjetër delikat lidhur me ndarjen midis fesë dhe shtetit e politikës, nuk është në traditën tonë dhe as diplomatike që t’i imponohesh, sidomos një mysafiri të tillë, lider i një shteti të madh si Turqia kur të vjen në shtëpi. Supozohet se ai duhet t’i dije vetë sinoret e qëndrimeve dhe deklarimeve të veta. Kryesorja, këto janë gjëra që me vullnetin e mirë dypalësh mund të kapërcehen në të ardhmen, ndaj nuk ia vlen të bëjmë “gërvëre“ me Turqinë.
Natyrisht Erdogani është në të drejtën e vet të kërkojë shmangien e gylenistëve nga çdo qelizë e jetës politike, publike, kulturore dhe fetare, sikundër dhe të zbatojë doktrinën e njohur të neo-otomanizmit në Ballkan. Për këtë krahas të tjerash, po përqëndrohet në diplomacinë fetare, dmth tërheqjen e simpatisë masive në Ballkan nëpërmjet ndërtimit dhe dhurimit të xhamive dhe kulteve fetare. Fushë me ndjeshmëri të madhe njerëzore dhe me garanci të madhe suksesi. Detyra e diplomacisë sonë është të tregojë kujdes në të ardhmen në marrëdhëniet me Turqinë, që “ mishi të piqet dhe helli të mos digjet“. Natyrisht kjo është “më e lehtë në të thënë se në të bënë”. Gjithsesi, politika dhe diplomacia jonë në këtë rast u treguan në nivelin e duhur.
2. Paqe, po si dhe me se? Kjo është pyetja që lind mbas turit një javor të Presidentit ukrainas, Zelenski në Europë, gjatë të cilit mori pjesë në Samitin e Tretë të Europës Juglindore kushtuar mbështetjes për Ukrainën dhe në takime me homologët e tij në Romë, Vatikan, Paris, Berlin dhe Londër. Një lloj « ngushëllimi » pas shtyrjes së Samitit në Gjermani mbas anullimit të pranisë së Presidentit Biden. Shumë po flitet për planin e tij për një fund lufte blitz, madje me arritjen e paqes në tryezat diplomatike. Mirëpo, deri tani është parë vetëm një skicë në parim, por pa elementë konkretë. Po ashtu ai ka kërkuar që Samiti i anulluar i Nëntorit të bëhet brenda vitit dhe pa praninë ruse. Diçka jo reale, kur SHBA-të do të jenë në fazën e tranzicionit dhe ca më tepër kur askush, as vetë Zelenski nuk e di se çfarë paqe do të kërkojë në atë konferencë. Paqe duke dorëzuar pjesën e aneksuar lindore dhe territoret e pushtuara nga Rusia, duke hequr dorë nga anëtarësimi në BE dhe NATO apo paqe me fitore në frontin e luftës ? Ndryshe, ka rrezik që paqja të kthehej në kapitullim, dorëzim, pushtim të ri të Ukrainës, ose paqe në mëshirë të Rusisë.
3. Jubile i vakët! Ishte 10 Vjetori i lançimit të Procesit të Berlinit që u përkujtua në Berlin me liderët e Balkanit Perendimor dhe Presidenten e Komisionit Europian Ursula von der Leyen me ftesë të Kancelarit Scholz.
Pa shampanjë, pa ndonje bilanc të pasur, pa arritje dhe pa frymë, ndryshe nga sa shopresohej kur e lançoi Kancelarja Merkel 10 vite më parë. Asnjë përshejtim, madje vonesa në anëtarësiin drejt BE-së. Çështë më e keqja, megjithë disa nisma të dobishme port ë pamjaftueshme ekonomike dhe tregtare, sidomos Tregu i Përbashkët Rajonal, roamingu dhe shkëmbimi i studentëve, Berlini nuk ia ka dalë të ndihmojë dhe ndikojë në krijimin e FRYMES së vërtetë për afrim, konsensus, pajtim dhe bashkëpunim mes vendeve të rajonit, sidomos midis Beogradit dhe Prishtinës, madje as brenda tyre, me opozitën, grupe interesi, median dhe shoqërinë civile. Ndaj dhe ngushëllimi sipas Kancelarit Scholz është që anëtarësimi i Ballkanit në BE të mos zgjasë sa 10 vitet e kaluara, çka gjithsesi mbetet vetëm shpresë në ajër. Sepse as në muajt e ardhshshëm nuk pritet ndonjë gjë e madhe; Kosova ka zgjedhjet shkurtin e ardhshëm, Shqipëria në maj, Gjermania në shtator. Vetë Kancelari Scholz dhe Macron, dy liderët kryesorë të BE-së dhe Procesit të Berlinit janë dobësuar tej mase mbas shuplakave më të fundit të rënda zgjedhore, ndaj dhe besueshmëria dhe lidershipi i tyre ka rënë nën nivelet historike.
4.Rrugëtim të mbarë europian! Mbi dy vjet mbas çeljes zyrtare të negociatave me BE-në, më në fund, Konferenca e II Ndërqeveritare më 15 tetor në Luksemburg shënoi çeljen konkrete për grup kapitujt e parë jetikë, shteti i të drejtës, gjyqësori, etj, ose “Themelorët“. Ngjarje me rëndësi dhe pse e vonuar, për të cilën meritojnë përgëzimet më të mira ekipi i negociatorëve, MPJ-ja, Kuvendi, Komiteti Kombëtar i Integrimit, të gjitha instucionet e përfshira në këtë proces historik për vendin tonë.
Tani problemi është që mbas plot 10 vitesh pritjeje si vend kandidat, të bëjmë çmos sa kemi në dorë për të shmangur vonesa dhe pengesa të tjera, që t’i afrohemi sa më shumë objektivit tejet të vështirë për anëtarësim në vitin 2030.
Këtu, veç mungesave dhe problemeve tona të njohura që do të dalin në sipërfaqe gjatë këtyre bisedimeve, sfida më serioze dhe që nuk varet tërësisht nga ne është mundësia e ndonjë vetoje tjetër që do në na qëndrojë te koka deri në mbylljen e 6 grup kapitujve.
Duke qenë se heqja e saj është e pamundur, diplomacisë sonë i mbetet të punojë që të paktën kjo veto të zbatohet në fund të procesit dhe jo për çdo grup kapitujsh si deri tani.
Së fundi, pavarësisht nga kjo, rolin vendimtar për ecurinë e negociatave tona e ka faktori i brendshëm dhe kryerja me sukses, në kohë dhe me cilësinë e kërkuar të reformave tona madhore. Veç kujdes, që ligjet, aktet dhe veprimet tona të mos bien ndesh me frymën dhe gërmat e BE-së siç dhe ka ndodhur. Se vërtet deri tani e « kemi hedhur lumin » dhe kështu, por mund të na “ngeci sharra në gozhdë” te grupi përkatës i kapitujve; se Brukseli dhe të 26 kryeqytetet e tjera kanë plot truke dhe marifete për të na thënë « Ndal » kur të shohin se po “dalim nga binarët” europianë, pa përjashtuar dhe “shpatën e Demokleut” – Veton.
© 2024 Argumentum