Belinda Balluku deklaroi sot se urdhri për anulimin e fluturimeve prej dhe drejt Veriut të Italisë dhe transportit detar përfshin pasagjerët dhe jo mallrat. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se urdhri për anulimin e fluturimeve prej dhe drejt Veriut të Italisë dhe transportit detar përfshin pasagjerët dhe jo mallrat.
Në një deklaratë për shtyp, ministrja shpjegoi se vendimi është marrë me qëllim minimizimin e përhapjes së virusit COVID-19.
Balluku tha se ndalohen të gjitha fluturimet për pasagjerët por jo për avionët kargo, që kryejnë transportin e mallrave.
Aktualisht, tha ministrja, janë të pezulluara fluturimet për pasagjerët nga aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” drejt dhe nga: Milano Malpensa (MXP), Bergamo (BGY), Bologna (BLQ), Firenze (FLR), Genoa (GOA), Perugia (PEG), Pisa (PSA), Rimini (RMI), Venezia (VCE), Verona (VRN).
Ministrja theksoi se ndalohet edhe transporti i pasagjerëve përmes linjave detare Durrës- Ankona-Trieste, por jo i anijeve të mallrave.
Ajo apeloi kompanitë ajrore të gjejnë mënyra për lehtësimin e lëvizjes së pasagjerëve duke sjellë në vëmendje edhe rastin e kompanive Austrian Airlines dhe Air Albania, të cilat u kanë dhënë pasagjerëve opsionin e riskedulimit të biletës për një moment tjetër.
“Do të ishte shumë mirë që kompanitë të ndjekin një rrugë që do të ndihmonte qytetarët duke i dërguar ata në një destinacion tjetër brenda Italisë, si aeroporti i Romës apo Barit që janë të aksesueshëm aktualisht, që do tu jepte mundësinë atyre për të arritur në destinacionin përfundimtar” tha Balluku.