Shoqata e Gazetarëve Europianë Shqipëri shpreh shqetësimin për situatën e vështirë në të cilën ndodhet aktuaisht media shqiptare për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia e COVID-19 dhe apelon për ndihmë ekonomike.
Ndërsa shumica e gazetarëve janë angazhuar në terren në raportimin ngjarjeve, ata po përballen me probleme ekonomike.
Sipas shoqatës, “rezulton se një numër i konsiderueshëm televizionesh dhe gazetash përfshirë edhe ato online, kanë filluar me shkurtime në stafet respektive, largime nga puna për shkak të situatës së krijuar dhe përgjysmime të pagës pa paralajmërim, duke e argumentuar me problemet financiare. E gjitha kjo në një periudhë ku pjesa dërrmuese e gazetarëve janë angazhuar më shumë se dje në raportimin e gjendjes. Gazetarët, janë në vijë të parë të raportimit, duke rrezikuar jo pak edhe jetën e tyre, për të përmbushur misionin dinjitoz, atë të informimit të qytetarëve në shërbim të interesit publik.”, thuhet në qëndrimin e Shoqatës së Gazetarëve Evropianë.
Kërkesa e shoqatës është që qeveria t’ju vijë në ndihmë edhe mediave gjithashtu.
“Duke parë këtë situatë që sa vjen e po përkeqësohet, dhe duke e konsideruar median si shumë të rëndësishme për demokracinë e një vendi, J’u apelojmë që të ndikoni sa më shpejt të jetë e mundur, në krijimin e një pakete lehtësuese dhe mbështetëse shumë dimensionale, për të gjitha mediat, duke filluar nga ato kombëtare, lokale, të shkruara dhe online.”.
Shoqata e Gazetarëve Evropianë vë në dukje faktin se “media dhe gazetarët, janë një nga elementët më të rëndësishëm për demokracinë, dhe nuk mund të braktisen në këtë moment tejet delikat të historisë së vendit.”