Në një sqarim të dytë, APP nënvizon se kjo është bërë për ato institucione që e kanë të pamundur të vijojnë me vlerësimin e ofertave, apo me kryerjen e shpalljeve, ndërsa për ato që munden, të vijojnë normalisht punën, sistemi është në funksion. Pra autoritetet kontraktore që kanë mundësi të zhvillojnë procedurat, edhe në kushtet aktuale, mund ta bëjnë këtë.
“Në vijim të Njoftimit Nr. 2245 Prot., datë 12.03.2020 të Agjencisë së Prokurimit Publik (APP) mbi shpalljen e procedurave të reja të prokurimit publik, apo vijimin e procedurave apo kontratave në proces, dhe nisur nga kërkesat për sqarim, apo pyetjeve të adresuara, në mbështetje të nenit 13 të Ligjit Nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar, APP sqaron si më poshtë vijon:
Njoftimi i sipërpërmendur i APP-së, u jep mundësi autoriteteve kontraktore të pezullojnë apo shtyjnë procedurat e prokurimit, pasi për shkak të situatës së krijuar në vendin tonë, vlerësojnë se nuk kanë mundësi të vijojnë normalisht punën, por nuk ndalon asnjë autoritet kontraktor që të shpallë apo të zhvillojë procedura prokurimi, për sa kohë vlerësohet e nevojshme dhe e mundur.
Në kuptim të sa më sipër, në rast se, autoritetet kontraktore vlerësojnë se janë në kushtet të vijojnë me shpalljen e njoftimeve të reja për procedurat e prokurimit në sistemin e prokurimit elektronik, apo me hapjen dhe shqyrtimin ofertave të paraqitura, për procedurat në proces, të vijojnë me punën në sistemin e prokurimit elektronik.
Për këtë qëllim, sjellim në vëmendjen e të gjithë autoriteteve kontraktore dhe operatorëve ekonomikë se, sistemi i prokurimit elektronik është në punë (online) 24 orë, çdo ditë të javës. Po kështu dhe stafi i APP-së është në dispozicion për çdo kërkesë për asistencë, pyetje apo paqartësi, të cilat mund t’i dërgoni në adresën e-emailit [email protected]” sqaroi APP.