Kreu i SPAK, Arben Kraja në një intervistë për Euronews Albania ka bërë një bilanc të punës se tij në krye të SPAK përgjate 3 viteve, që nga krijimi i kësaj strukture e cila u ngrit pas miratimit të Reformës në Drejtësi.
Ai tha se gjatë kësaj periudhe ka pasur një ngarkesë të jashtëzakonshme, megjithese nuk është reflektuar me aksione ndaj “ peshqve të mëdhenj”.
“SPAK punon përditë, edhe sot ishte nga raportimet që bëmë për publikun për një hetim që kishim kohë që e kryenim. Kjo tregon se aktiviteti është në mënyrë të vazhdueshme, shumë intensiv. 3 vitet e SPAK, është një strukturë dhe janë 3 vitet e para të ngritjes së strukturës. Në këtë aspekt është bërë shumë, po të shikojmë nga pikëpamja organizative, nga pikëpamja administrative, nga pikëpamja e ngritjes së strukturës së hetimit, Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe nga pikëpamja e rritjes në mënyrë të vazhdueshme të autoritetit të SPAK. Ka pasur një ngarkesë të jashtëzakonshme për çështjet penale dhe hetime pasurore dhe të tjerat e me radhë”, u shpreh Kraja.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Arben Kraja është pyetur gjatë intervistës, nëse Sali Berisha do të merret në pyetje për çështjen e kompleksit Partizani dhe Gërdecin.
Kraja bëri të ditur se çfarë do të bëhet me Berishën, është diçka që u takon prokurorëve të çështjes. Kraja shtoi se të dyja çështjet janë ende nën hetim.
“Çështja është nën hetim, e kam deklaruar dhe në disa raste të tjera. Janë duke u kryer të gjitha veprimet që duhen kryer për të sqaruar se çfarë ka ndodhur.
Në fund, padiskutim që do të analizohen provat dhe kushdo që do të ketë përgjegjësi, do përgjigjet. Çështja e Gërdecit është një çështje e vjetër, e cila është hetuar, gjykuar, ka një vendim përfundimtar nga Gjykata e Tiranës, kaluar edhe në Apel.
Ndërkohë, pjesa që i takon zotit Mediu ishte mbetur pezull në Gjykatën e Lartë, për arsye të imunitetit. Është bërë një betejë e gjatë ligjore midis SPAK dhe avokatëve, nëse duhej rihapur apo jo kjo çështje.
Ka shkuar rasti deri në Gjykatën Kushtetuese dhe kja thënë po, duhet të vazhdojnë hetimet. Çështja është nën hetim. Se çfarë do bëhet, është çështje që i dinë prokurorët e çështjes”, theksoi Kraja.
Kreu i SPAK, Arben Kraja deklaroi gjithashtu se kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta është në hetim për dosjet që janë dorëzuar për financimet në parti.
“Po janë çështje nën hetim, vazhdojnë hetimet edhe për ato. Janë disa çështje që lidhen me financimet e partisë dhe lobimin, nuk mund të them më tepër janë nën hetim. Ne po hetojmë faktet, se kush do të dalë përgjegjës është histori e hetimit”, u shpreh Kraja.
Ndonese Ambasadorja amerikane znj.Yuri Kim ka vizituar shpesh Prokurorinë e Posacme kunder Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar duke dhëne një perceptim në media për ndikim në këtë strukture, Zoti Kraja gjatë intervistës nënvizoi se në asnjë moment nuk kanë marrë ndonjë udhëzim nga ndërkombëtarët për ndonjë çështje të caktuar.
Sipas Krajës prokurorët janë të pavarur në vendimmarrje për çështjet që kanë nën hetim.
Prokurorët e SPAK punojnë në një terren shumë të vështirë, pasi hetojnë krimin e organizuar, terrorizmin dhe zyrtarët e lartë.
Nuk është vetëm SHBA-ja me të cilët ne bashkëpunojmë, bashkëpunojmë edhe me BE-në, me shtete të veçanta në rajon, bashkëpunojmë me Mbretërinë e Bashkuar. Është e dukshme që SHBA janë një nga faktorët kryesorë që kanë ndikuar në realizimin e reformës, në përcaktimin e strukturave të reja që do krijohen dhe janë faktorët kryesorë që kanë mbështetur SPAK në ngritjen e tij në këto 3 vite. Na kanë mbështetur edhe nga pikëpamja financiare dhe këshillave të vazhdueshme. Ne kemi në SPAK përfaqësues të DEA-s, të departamentit të drejtësisë, ashtu siç kemi kontakte të ngushta me strukturat europaine. Nuk ka asnjë aspekt për t’u çuditur për bashkëpunimin me autoritetet e huaja. Deklaratat e ambasadores, unë nuk kam asnjë autorizim t’i komentoj dhe ajo e di pse i ka bërë.
Prokurorët e SPAK patjetër që veprojnë një terren të vështirë sepse hetojnë krimin e organizuar, terrorizimin, hetojnë korrupsionin, zyrtarët e lartë. Të gjithë këta elementë kanë situata të vështira për t’u hetuar dhe provuar fajësia. Krimi i organizuar ka specifike tjetër, zyrtarët e lartë kanë specifikë tjetër.
“Por pervec krimit të organizuar, Z. Kraja foli edhe per kërcënime nga ana e mediave.
Ka portale që kërcënojnë gjyqtarë dhe prokurorë të SPAK”, theksoi për Euronews Albania kreu i SPAK.
“Po patjetër që ka edhe kërcënime, ndoshta dhe të drejtpërdrejta. Janë nga më të ndryshimet, ka, po të lexosh nëpër portale. Nuk e kam me analistët. Ka disa lidhje me disa portale që në mënyrë të papërgjegjshme shkruhet nga gjërat më të çuditshme. Portalet përmendin, kërcënojnë në pjesët individuale të gjyqtarëve të prokurorëve, të jetës private, histori të tilla”, u shpreh Kraja.
Mandati i Arben Krajës, përfundon në datën 18 dhjetor. Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat, kështu Kraja do të mbetet prokuror i SPAK.
/Argumentum.al