Armenia dhe Azerbajxhani akuzuan njëra-tjetrën të dielën për shkeljen e një armëpushimi të ri humanitar në rajonin e diskutueshëm Nagorno-Karabakh, vetëm disa orë pasi marrëveshja hyri në fuqi.
Përmes një mesazhi në rrjetin Twitter herët të dielën, Ministria e Mbrojtjes së Armenisë akuzoi Azerbajxhanin për shkeljen e armëpushimit të ri në rajon duke qëlluar me artileri dhe raketa.
“Përsëri duke shkelur armëpushimin humanitar, armiku qëlloi me artileri në drejtimin verior dhe përdori raketat duke qëlluar në pjesën jugore.”
Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit tha përmes një deklerate më pas se, “armiku hapi zjarr në afërsi të qytetit Jabrail, si dhe në fshatrat e atij rajoni….duke përdorur mortaja dhe artileri”, ndërsa shtoi se ushtria azere, “ndërmori masa të përshtatshme hakmarrëse”.
Azerbajxhani dhe Armenia njoftuan se kishin rënë dakord për një armëpushim të ri duke filluar nga e diela, përpjekja e dytë brenda një jave për të zbutur situatën me luftime që vazhdon prej afro tre javësh në Nagorno-Karabakh.
“Republika e Armenisë dhe Republika e Azerbajxhanit kanë rënë dakord për një armëpushim humanitar duke filluar sipas kohës lokale nga ora 00 e ditës me 18 tetor”, tha Ministria e Jashtme e Armenisë të shtunën vonë. Edhe Azerbajxhani publikoi një dekleratë identike.
Njoftimet erdhën pasi Ministri i Jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov zhvilloi biseda telefonike me homologun armen dhe atë azer. Presidenti francez Emmanuel Macron dhe zoti Lavrov kanë theksuar se armëpushimi duhet respektuar rreptësisht nga të dyja palët.
Të shtunën herët Azerbajxhani dhe Armenia akuzuan njëra-tjetrën për sulme të reja, një tregues i mëtejshëm se dhuna është përshkallëzuar në rajonin Nagorno-Karabakh në shkelje të një armëpushimi të ndërmjetësuar nga Rusia që hyri në fuqi një javë më parë.