Arqipeshkvi i Kryedioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj ka përcjellë sot mesazhin e tij për besimtarët katolikë për festën e Pashkës.
Në mesazhin e urimit, Imzot Dodaj shprehet se “ringjallja e të kryqëzuarit ka një forcë dhe domethënie për mbarë njerëzimin dhe mbarë botën. Sot Krishtin që vdiq në kryq për ne, e shohim në shumë vëllezër dhe motra të pafajshëm viktima të padrejtësisë, të dhunës dhe të luftës”.
Ai thekson se “me Krishtin në këto Pashkë shohim betejën e madhe të njerëzimit midis jetës dhe vdekjes, midis shpresës dhe dëshpërimit tundimit ndaj dorëzimit të së keqes dhe luftën për të mirën”.
“Ftesa që na ban Zoti të gjithëve sot është që të shohim me vendosmëri të ardhmen sepse përballë errësirës që njerëzimi ka në horizontin e sotëm, me të vërtetë depërton drita e prezencës së Zotit që nuk e braktis kurrë njeriun”, shprehet Arqipeshkvi Metropolit Tiranë-Durrës.
Imzot Arjan Dodaj thekson se “jeta që Zoti na ka dhuruar meriton të jetohet akoma më shumë, ta ndërtojmë së bashku këtë jetë me më shumë përgjegjësi në vendin tonë. Të jemi të sigurt që ky është thesari që Zoti na ka dhënë për amshim”.
“Ringjallja e të kryqëzuarit ka domethënie e forcë që vlen për mbarë njerëzimin. E shohim në shumë vëllezër e motra të pafajshëm, viktima të padrejtësisë të dhunës e luftës. Me Krishtin në këto pashkë shohim betejën mes jetës e vdekjes. Rrënojat, pandemia e lufta kanë shënuar jetën e shumë personave, e kjo duhet të na nxisë të duam më shumë jetën. Ta ndërtojmë së bashku jetën me shumë përgjegjësi në vendin tonë. Të ftoj bashkëkombasit e mi shqiptarë që së bashku të marrin përgjegjësinë që ta mundin errësirën që gllabëron shoqërinë në rrugën pa dalje ku është futur që është korrupsioni. Korrupsioni është pasojë e një zemre të trembur e të frikësuar që fsheh kokën si një struc. Të çlirohemi nga borxhi që ndjejmë përmes ryshfetit kur kërkojmë një vend pune”, tha Imzot Arjan Dodaj.
/Argumentum.al