Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me ambasadën e Ukrainës në Tiranë, zhvilluan sot një aktivitet sensibilizues, në kuadër të 1-vjetorit të nisjes së agresionit rus dhe nisjes së konfliktit më të madh ushtarak në Evropë, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në ambientet e Kryesisë së Kuvendit u shfaq filmi dokumentar “Arratisja nga Irpini”, i realizuar nga gazetari polak Michal Psedlatsky, gjatë qëndrimit të tij në Ukrainë.
Nëpërmjet dëshmive dhe përjetimeve të disa personazheve, gazetari tregon rezistencën e pashembullt të popullit ukrainas ndaj agresonit rus.
Veprimtaria u përshëndet nga kryetarja e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, Mimi Kodheli dhe ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov dhe në të merrnin pjesë deputetë të Kuvendit dhe të ftuar nga bota akademike, gazetaria, shoqëria civile, biznesi, etj.
Në fjalën e saj, Kodheli shprehu admirimin për rezistencën e pashembullt që ka treguar populli ukrainas ndaj sulmit të pajustifikuar të Rusisë ndaj një vendi të pavarur.
Duke vlerësuar mbështetjen që i është dhënë dhe po i jepet Ukrainës nga NATO, Kodheli nënvizoi se Shqipëria do të qëndrojë përkrah popullit ukrainas në të drejtën e tyre për siguri dhe sovranitet.
Kodheli u shpreh ndër të tjera se, dëshmitë dhe ajo çfarë po ndodh ende në Ukrainë, duhet të shërbejnë si momente reflektimi për të gjithë për ti dhënë fund sa më shpejt konfliktit të padrejtë.
Ambasadori i Ukrainës, Volodymyr Shkurov, në fjalën e tij u ndal në dëmet dhe pasojat që ka shkaktuar lufta që prej nisjes 1 vit më parë dhe nënvizoi se pavarësisht gjithçkaje, Ukraina është në këmbë, duke luftuar, fal edhe mbështetjes dhe ndihmës së gjithë botës së qytetëruar, duke përfshirë edhe Shqipërinë.
Ambasadori theksoi se populli ukrainas vazhdon luftën kundër agresorit rus dhe beson në fitore.
Sot bëhet një vit nga fillimi i kësaj lufte të tmerrshme mes Rusisë dhe Ukrainës. Një vit më parë, askush nuk mund ta imagjinonte se një luftë e tillë ishte e mundur në parim. Por është kthyer në një realitet tragjik, çmimin e të cilit e paguajnë me jetën e tyre dhjetëra mijëra njerëz të pafajshëm.
Që nga pushtimi i plotë rus i Ukrainës, pushtuesit kanë shkatërruar plotësisht gjashtë qytete. Më shumë se 80 000 objekte dhe miliona metra katrorë të infrastrukturës rezidenciale, arsimore, mjekësore dhe sportive u shkatërruan. Mijëra kilometra rrugë dhe hekurudha, aeroporte, porte e shumë të tjera u dëmtuan. Disa nga këto objekte janë shkatërruar plotësisht.
Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, Ukraina është në këmbë, duke luftuar, falë mbështetjes dhe ndihmës së gjithë botës së qytetëruar, duke përfshirë edhe ju, të dashur deputetë.
Populli ukrainas vazhdon luftën kundër agresorit rus dhe beson në fitore. Nga sot, 95% e ukrainasve besojnë në fitoren ndaj armikut.
Disa muaj më parë, më 21 shtator 2022, ne po mblidheshim tashmë në Parlament dhe po shikonim një film dokumentar “Mariupol. Shpresa e Pa humbur” për qytetin e Mariupolit të shkatërruar nga ushtria ruse.
Sot jemi këtu për të parë një tjetër dokumentar të quajtur “Arratisja nga Irpini”. Ky është një film shumë i rëndë emocional. Ky film tregon me të vërtetë, në fakt, për fillimin e agresionit rus kundër Ukrainës. Banorët e një qyteti të qetë dhe të rehatshëm, i cili ndodhet pranë kryeqytetit të Ukrainës, qytetit të Kievit, papritmas u gjendën përballë tmerreve të luftës me gjithë mizorinë e saj çnjerëzore.
Ky dokumentar ndonjëherë përmban një gjuhë të fortë. Por në kushtet e fillimit të luftës, njerëzit thjesht nuk mund të shprehen me galantë, kur njerëz të pafajshëm dhe fëmijë të vegjël vuajnë dhe vdesin para syve të tyre.
Dëshiroj të falënderoj edhe një herë sinqerisht Kryetaren Mimi Kodheli, deputetët shqiptarë, miqtë tanë që na kanë qenë dhe mbeten pranë nesh dhe të gjithë të pranishmit në këtë sallë për humanizmin dhe mbështetjen e popullit të Ukrainës.
/Argumentum.al