Prokuroria Speciale e Shtetit e ka konfirmuar se ish-drejtori i Policisë së Malit të Zi, Vesellin Veloviq, është arrestuar të hënën, dhe ndaj tij rëndojnë akuzat për “akte kriminale të krijimit të një organizate kriminale, abuzim me pozitë zyrtare dhe kontrabandë”.
Me akuza të njëjta përballen edhe tre persona tjerë.
“Departamenti i Policisë Speciale, me urdhër të Zyrës së Prokurorit Special, i ka privuar nga liria V.V dhe M.N, dhe ndaj tyre është ngritur padi penale, si dhe ndaj A.M dhe N.M., të cilët janë në kërkim”, është thënë në deklaratën e Prokurorisë.
Në të është thënë se zyrtarët policorë i kanë bastisur edhe banesat dhe objektet tjera në pronësi të të arrestuarve.
“Dëshmitë kundër tyre janë mbledhur në bashkëpunim me Agjencinë e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim dhe Sundim të Ligjit – EUROPOL”.
Mes tjerash, autoritetet e Malit të Zi, kanë paralajmëruar se aktivitetet e tyre në këtë drejtim, do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Kush është Vesellin Veloviq?
Veloviq ka qenë drejtori i Policisë së Malit të Zi në periudhën 2007-2011, dhe prej mesit të vitit 2018 deri në fund të vitit 2020.
Në periudhën mes dy mandatave, ai ka qenë këshilltar i ish-presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes, dhe në Qeverinë e ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq, nga viti 2014 ai ka qenë sekretar i Këshillit Kombëtar të Sigurisë.
Prej fundit të vitit 2020, pas ndryshimit të Qeverisë në Mal të Zi, ka qenë këshilltar i Gjukanoviqit për çështje të sigurisë, deri më 20 maj të këtij viti.
Gjukanoviq i ka humbur zgjedhjet presidenciale në prill të këtij viti.