Kryetari i Partisë së Lirisë në Shqipëri, Ilir Meta, është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) më 21 tetor.
Meta kishte shërbyer në postin e presidentit të Shqipërisë nga viti 2017 deri më 2022.
Përveç postit të presidentit, ai kishte qenë edhe kryeministër, ministër i Jashtëm dhe kishte edhe poste të tjera të larta.
Policia dhe SPAK-u ende nuk kanë dalë zyrtarisht me ndonjë njoftim për shtyp lidhur me arrestimin e Metës.
Meta po hetohet në SPAK për skandalin CEZ-DIA, si dhe lobimin në SHBA.
Nuk dihet ende se për cilën çështje është ekzekutuar urdhër-arresti.
Ndërkohë, ndaj Metës dhe familjes së tij ka edhe hetim pasuror.
Meta kishte njoftuar për një konferencë për media për në orën 13:40 dhe ishte duke udhëtuar drejt selisë së partisë së tij kur është arrestuar.
Ilir Meta u zgjodh për herë të parë deputet në vitin 1992 dhe ka shërbyer në shumë poste të rëndësishme. Ai ka shërbyer si Kryeministër i Shqipërisë nga 28 tetori 1999 deri më 29 janar 2002. Pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2001, ai u rizgjodh si Kryeministër, por dha dorëheqjen më 29 janar 2002.
Në vitin 2004, ai themeloi Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI) që u shndërrua më pas në Partinë e Lirisë.
Meta mbajti postin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë nga 10 shtatori 2013 deri më 28 prill 2017. Pas përfundimit të mandatit si Kryetar i Kuvendit, ai u zgjodh President i Republikës, detyrë që e mbajti deri në vitin 2022.
/Argumentum.al