Dritan Goxhaj, shoqërues i trupave amerikane gjatë Luftës në Kosovë në vitin 1999, është arrestuar këtë të hënë, 31 korrik 2023, në Tiranë për llogari të autoriteteve kosovare.
Për Goxhajn është lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Speciale e Kosovës.
Arrestimi i Goxhajt mësohet se, është bërë me pretendimin se ka nxjerrë emrat e dëshmitarëve të disa çështjeve penale, të ngritura pas luftës në Kosovë.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë njoftoi sot se, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë bënë ekzekutimin e vendimit të datës 20.07.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur lejimin e kontrollit fizik dhe të banesës së shtetasit D. G., si dhe caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, me qëllim ekstradimi, ndaj shtetasit D. G., 45 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Prokuroria e Tiranës ka dhënë një prononcim për mediat lidhur me arrestimin e Dritan Goxhajt.
Njoftimi i plotë:
Sot më datë 31.07.2023, në kuadër të “Kërkesës se Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës”, u realizua ekzekutimi i letërporosisë për dhënien e ndihmës juridike Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës, për llogari të procedimit penal në ngarkim të shtetasit D.G., për kryerjen e veprave penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” dhe “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, parashikuar nga legjislacioni penal i Republikës së Kosovës.
Është ekzekutuar vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëgues “Arrest në burg” e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale ndaj shtetasit D. G., me qëllim ekstradimin, si dhe është ushtruar kontroll në vendin e banimit të tij.
Këto veprime procedurale janë kryer në përmbushje të dhënies së ndihmës juridike, për shkak se Gjykatësi i Vetëm kishte lëshuar fletëarrestin dhe urdhëroi transferimin e tij në paraburgimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Mbretërinë e Vendeve të Uleta (‘shteti prites’). Gjithashtu, Gjykatesi i Vetem autorizoi kontrollimin e z. D.G., të vendit të arrestimit dhe të vendit të banimit te tij, si edhe sekuestrimin e materialeve gjate kontrollimit të tyre (‘Urdhri për Autorizimin e Kontrollimit dhe Sekuestrimit’).
Gjykatesi i Vetem ka konstatuar se ekziston dyshim i bazuar se shtetasi D.G., mban përgjëgjesi penale për vepra penale që përfshihen në juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konkretisht për frikësim gjate procedurës penale dhe pengim të personave zyrtare në kryerjen e detyrave zyrtare, përkatësisht në bazë të nenit 387 dhe nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës të vitit 2019 (Ligji nr. 06/L-074), sikurse përcaktohet në nenin 15(2) te Ligjit.
Në vijim do të realizohet procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi për në Republikën e Kosovës.