Në Maqedoninë e Veriut, të hënën (30 gusht) në mbrëmje, ka arritur grupi i afganëve, të cilët Qeveria në Shkup ka vendosur t’i strehojë përkohësisht derisa t’iu rregullohen dokumentacionet për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara.
Maqedonia e Veriut ka thënë se do të strehojë gjithsej 750 afganë.
Grupi i parë ka arritur në aeroportin e Shkupit rreth orës 23.30 ndërsa u prit nga Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
“Solidaritetin që e kemi demonstruar ditëve të fundit, sonte e dëshmuam edhe në vepër. Sonte arriti grupi i parë i afganëve, që ishin të angazhuar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare me të cilat kemi punuar ne dhe aleatët tanë perëndimorë. Ata pa fajin e tyre ishin të rrezikuar vetëm e vetëm pse ishin të angazhuar për demokratizimin e Afganistanit andaj edhe ne vendosim ti strehojmë deri sa nuk arrijnë në destinacionin e tyre të fundit”, ka deklaruar Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Një nga refugjatët për shkak të problem shëndetësore me automjet të Urgjencës është transferuar në spital.
Ata do të akomodohen në afërsi të aerportit dhe do t`I nënshtrohen kontrollit shëndetësor.
Planifikohet që afganët të qëndrojnë për 90 ditë, pas cka do të transferohen drejt destinimit të fundit.
Refugjatët e parë që mbërritën në Shkup janë punonjës në OJQ dhe familjet e tyre.
Në Aeroportin e Shkupit u pranuan nga MPJ-ja, MPB-ja, MSH-ja, Kryqi I Kuq dhe organizata ndërkombëtare.