Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte reagoi me kujdes ndaj njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump për negociata të planifikuara me presidentin rus Vladimir Putin për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
“Ne do të shohim se si kjo do të përparojë tani e tutje”, tha Rutte në takimin e ministrave të Jashtëm të NATO-s në Bruksel. Thelbësore për Ukrainën është të përfshihet nga afër në gjithçka që vendoset për Ukrainën”, shtoi ai.
Rutte theksoi nevojën për të siguruar që Ukraina të jetë në pozitën më të mirë të mundshme.
“Është thelbësore që kur arrihet një marrëveshje paqeje, të jetë e qëndrueshme, dhe që Putini të jetë i vetëdijshëm se ky është fundi, dhe të mos përpiqet më të kapë pjesë të Ukrainës”, tha Rutte.
“Kjo duhet të jetë pjesë e negociatave dhe pa dyshim që është në mendjen e presidentit Trump dhe ekipit amerikan”, shtoi ai, duke vënë në dukje se aleatët do të punojnë në koordinim të ngushtë.
Rutte kujtoi dështimin e marrëveshjes së Minskut të arritur pas aneksimit të Rusisë në vitin 2014 të gadishullit ukrainas të Krimesë në Detin e Zi.
“Ne menduam se marrëveshja do të pranohej. Nuk ndodhi. Putini thjesht vazhdoi të përpiqej të rrëmbente pjesë të Ukrainës”, tha ai.
Trump njoftoi dje se do të takohej me Putinin për të kërkuar një zgjidhje për t’i dhënë fund luftës së Rusisë kundër Ukrainës.
Në të njëjtën kohë, administrata e tij prezantoi publikisht për herë të parë marrëveshjen për t’i dhënë fund luftës – duke deklaruar se Ukraina duhet të heqë dorë nga kërkesa e saj për t’u bashkuar me NATO-n, duke përjashtuar ushtarët amerikanë si pjesë e një force të mundshme paqeruajtëse.