As takimi prej më shumë se 2 orë e 30 minuta me përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Tiranë nuk ka afruar mazhorancën dhe opozitën drejt konsensusit për reformën zgjedhore.
Rreth orës 20:30 minuta, Ian Crawford, shef i seksionit politiko-ekonomik në Ambasadën e SHBA në Shqipëri ka zbritur në terren në përpjekje për të bindur socialistët dhe opozitën drejt një marrëveshjeje për reformën.
Takimi nisi me Oerd Bylykbashin dhe Damian Gjiknurin dhe rreth 60 minuta më vonë tryezës iu bashkua Petrit Vasili. Mbetet e paqartë se çfarë formulash zhbllokimi janë diskutuar në tryezë, apo nëse përfaqësuesi amerikan ka shtruar për diskutim ndonjë propozim konkret, që mund të përfshijë edhe ndryshimin e sistemit.
Por, e sigurtë është që as ky takimi nuk ndryshoi gjë.
“Ofruam konsensus, por Partia Socialiste nuk është gati për zgjidhje”, deklaroi përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi.
Opozita këmbëngul tek kërkesat, që sipas saj japin garanci që vota e qytetarëve të mbrohet, duke filluar që me identifikimin biometrik të votuesve e deri tek kalimi i kompetencave të Kolegjit Zgjedhor tek Gjykata Kushtetuese. Socialistët nga ana tjetër këmbëngulin tek depolitizimi i administratës zgjedhore, pikë që kundërshtohet nga PD, që thotë se nuk mund të ketë depolitizim të administratës zgjedhore pa pasur më parë depolitizim të administratës publike.
Megjithatë, diskutimet do të vijojnë, edhe përtej 31 majit, datë e vendosur nga vetë palët si afat për të përmbyllur reformën dhe e përforcuar edhe nga vetë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Lajmin se diskutimet do të vazhdojnë e dha Petrit Vasili.
h.e/Argumentum