Genc Mlloja
Në vazhdën e provokacioneve ndaj Kinës strategët amerikanë kanë futur kohët e fundit në lojë aktive lideren e provincës së Tajvanit Tsai Ing-wen, duke inskenuar ‘një vizitë tranzit’ të saj në SHBA ku arriti më 30 mars. Sipas këtij skenari parashikohej që destinacioni i saj të ishin Belize and Guatemala, të dy vende që janë në listën e 13 vendeve që vazhdojnë të mbajnë lidhje me Tajvanin nën presionin amerikan. Gjatë ‘tranzitit’ ajo ka zhvilluar takime me zyrtarë të ndryshëm, dhe një takim i mundshëm me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve Kevin McCarthy është bërë si gjë a gjëzë në median amerikane, që rend pas ‘enigmave’ të tilla, një praktikë e kulisave të institucioneve shtetërore amerikane: do të bëhet takimi, apo nuk do të bëhet, si do të reagojë Kina nëse bëhet, e të tjera si këto.
Protesta në Tajvan kundër “vizitës së tranzitit” të Tsai Ing-wen-it në ShBA(Foto:VCG)
Por duhet theksuar që në krye të herës se një fakt bie në sy – autoritetet amerikane nuk tërhiqen nga veprimet e tyre armiqësore anti-kineze si në këtë rast megjithë paralajmërimet e forta të Kinës, çka dëshmon se me sa duket Uashingtoni synon ta mbajë të tensionuar atmosferën në marrëdhëniet Kinë-SHBA duke ecur në një ‘rrugë të minuar’ e ngarkuar me rreziqe të paparashikuara të karakterit të Luftës së Ftohtë.
Sikurse ishte paralajmëruar nga autoritetet kineze që më parë një provokim i tillë me vizitën e Tsai Ing-wen u dënua ashpër nga Pekini zyrtar e konkretisht zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning deklaroi më 30 mars në një konferencë shtypi se Kina kundërshton me vendosmëri çdo formë të ndërveprimit zyrtar midis Shteteve të Bashkuara dhe rajonit të Tajvanit.
“Ne e kundërshtojmë me vendosmëri çdo vizitë të liderit të rajonit të Tajvanit në Shtetet e Bashkuara në çfarëdo emri ose me çfarëdo preteksti dhe kundërshtojmë me vendosmëri që qeveria e SHBA të ketë çdo formë kontakti zyrtar me rajonin e Tajvanit”, tha zëdhënësja. Mao vuri në dukje se në mospërfillje të demarsheve të forta të Kinës dhe paralajmërimeve të përsëritura, Shtetet e Bashkuara insistuan në organizimin e të ashtuquajturit “tranzit” që Tsai të shkonte atje.
Nuk është se ka ndonjë gjë të re në bisedimet e Tsai Ing-wen me autoritetet amerikane sepse në fund të fundit ajo dhe pasuesit e saj veçse zbatojnë urdhrat e padronit amerikan pikë për pikë në shkëmbim të pushtetit në një rajon kinez, ku sikurse po tregon rrjedha e ngjarjeve pjesa më e madhe e masave popullore me zemër e shpirt presin me padurim ti bashkohen atdheut, kombit të tyre të madh kinez.
Në këtë kontekst sinjifikative është vizita e ish-liderit të Tajvanit Ma Ying-jeou, i cili mbërriti në Shangai më 27 mars dhe më pas u nis për në qytetin lindor të Nankin-it. Vizita e politikanit të lartë tajvanez është e para nga një udhëheqës i këtij rangu që nga fundi I luftës civile kineze më 1949.
Ma u përshëndet nga zyrtarë të lartë të Zyrës së Punës së Tajvanit të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Komitetit Komunal të CPC të Shangait në aeroport.
Më 2 prill, ish-udhëheqësi i rajonit të Tajvanit dhe familja e tij bënë një vizitë në varrin e gjyshit të tij në kontenë Xiangtan të provincës Hunan për të nderuar paraardhësit e familjes me rastin e Festivalit Qingming, ose Ditës së fshirjes së varreve. Ata qëndruan përpara varrit dhe kryen një ceremoni solemne sipas traditës lokale për të nderuar paraardhësit, vendosën lule e fruta para varrit dhe Ma lexoi një tekst për nder të gjyshit.
Gjatë një interviste me atë rast, Ma Ying-jeou u shpreh se ai gjithmonë kishte dashur të vizitonte varrin e gjyshit dhe kjo dëshirë më në fund u realizua. Ai vuri në dukje gjithashtu se respekti për paraardhësit është “pjesë shumë e rëndësishme e edukimit etik të popullit kinez”.
Në në një takim që pati në Wuhan me Song Tao, kreun e Zyrës së Çështjeve të Tajvanit të Pekinit ish-udhëheqësi tajvanez tha se atë e shqetësonte “teksa shikonte rritjen e armiqësisë së njerëzve përtej ngushticës” dhe ai u përpoq të kthente kohën pas kur lidhjet ishin në nivelin më të mirë të tyre, nën udhëheqjen e tij, duke riafirmuar konsensusin e vitit 1992 se ekziston “një Kinë”.
Duke vënë ballë për ballë këto dy udhëtime të njëkohshme të protagonistëve politikë më të lartë të Tajvanit me destinacione të ndryshme Ma Ying-jeou në Kinë, në mëmëdhe, dhe Tsai Ing-wen në SHBA, tek armiku i hershëm i popullit kinez, del më në pah polarizimi në mes shtresës politike tajvaneze në radhët e të cilës duket qartë rritja e ndjenjës patriotikë për ta parë vendin e tyre të bashkuar si më parë.
Ma dha një mesazh paqeje përpara mauzoleumit Sun Yat-sen në Nankin, duke u bërë thirrje njerëzve në të dy anët e ngushticës që të punojnë së bashku sepse “ne jemi të gjithë kinezë” dhe “pasardhës të perandorëve Yan dhe Yellow”.
Ish-lideri i provincës Tajvan, Ma Ying-jeou bëri homazhe në varrezën e gjyshit në provincën Hu’nan(Foto:VCG)
Asnjëherë qarqet më të larta amerikane nuk e kanë përjashtuar në forma të ndryshme konfrontimin ushtarak në Ngushticë megjithë përbetimet e tyre për politikë paqësore me Kinën. Rasti më i fundit që përfshin presidentin Biden ishte Tokio gjatë vizitës së tij atje në maj 2022 ku në një rast pyetjes së gazetarëve nëse SHBA do të “përfshihej ushtarakisht” për të mbrojtur Tajvanin në rast të një ndërhyrje ushtarake nga Kina ai ishte përgjigjur me një “po”. Biden theksoi se “Ky është angazhimi që kemi marrë”.
“Shikoni, ja si është situata: ne pajtohemi me politikën ‘Një Kinë’; ne kemi nënshkruar atë dhe të gjitha marrëveshjet shoqëruese që pasojnë”, tha presidenti amerikan. “Por ideja se mund të merret vetëm me forcë nuk është e përshtatshme”.
Mediat amerikane e quajtën gafë duke pretenduar se Biden eshte i prirur per gafa sepse, sipas tyre, kjo nuk ishte hera e parë që ai shprehte angazhimin për mbrojtjen ushtarakisht të Tajvanit.
E në këtë lojë me zjarrin për të sfumuar ‘gafën’ zyrtarë të Pentagonit ishin të shpejtë për të theksuar se komentet e Biden nuk paralajmërojnë një ndryshim në pozicionin e SHBA ndaj Kinës. “Siç tha presidenti, politika jonë “Një Kinë” nuk ka ndryshuar. Ai e përsëriti atë politikë dhe përkushtimin tonë për paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, u tha gazetarëve në Pentagon Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin.
Duke qëndruar përkrah Austin, gjenerali i lartë amerikan Mark Milley nuk pranoi t’i përgjigjej një pyetjeje mbi rreziqet që do të përfshinte angazhimi ushtarak amerikan në Tajvan në rast konflikti.
Ma Ying-jeou bën homazhe në Muzeun për 300 000 viktimat e Masakrës së Nankinit që u krye nga agresorët japonezë në vitet 30′ të shekullit të kaluar(Foto:VCG)
Por kur flasim për skenare tw tilla asnjëherë në veprimet e tyre politike e ushtarake Uashingtoni nuk ka llogaritur interesat e popullit tajvanez, i cili në fund të fundit është ai që ka vuajtur dhe vuan problemet që lindin nga aventurat amerikane, të cilat natyrisht kanë gjetur gjithnjë kundërpërgjigjen e Pekinit. E kështu do të ndodhë edhe në kushtet e këtij provokacioni të ri, e më e rëndë do të bëhet situata në rast përshkallëzimi. Më shumë dritë lidhur me këtë hedh Kacee Ting Wong, kryetar i China Dream Think Tank, një organizatë jofitimprurëse me bazë në Hong Kong në një analizë botuar në China Daily më 31 mars 2023. Sipas tij, si fillim, Kina mund të konsiderojë vendosjen e disa sanksioneve ekonomike ndaj Tajvanit, duke shmangur një qasje të përgjithshme për të dëmtuar ekonominë e ishullit dhe banorët e tij. Dhe së dyti, mendon ai, kontinenti mund të konsiderojë kryerjen e inkursioneve të mëdha në “zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore” të ishullit dhe mbajtjen e stërvitjeve ushtarake në afërsi të disa ishujve periferikë të Tajvanit.
“Nëse Partia Demokratike Progresive në pushtet në ishull vazhdon përpjekjet që të këmbëngul në mbështetje më të madhe amerikane për të provokuar kontinentin, janë banorët e Tajvanit ata që do tu duhet të paguajnë çmimin për gabimet e autoriteteve të DPP-së. Dhe nëse një konflikt do të shpërthente përtej Ngushticës, ekonomia tajvaneze do të pësonte një goditje vdekjeprurëse, duke u shkaktuar bashkatdhetarëve të Tajvanit vuajtje të jashtëzakonshme. Përveç kësaj, shumica e të rinjve në ishull nuk janë të gatshëm të luftojnë për “pavarësinë e Tajvanit”, mendon studjuesi hongkongas.
Si konkluzion Kacee Ting Wong arrin në përfundimin se një ribashkim paqësor i Tajvanit me atdheun mund të sjellë shumë përfitime për Tajvanin dhe banorët e tij, të ngjashme me atë që ka ndodhur në rajonet speciale administrative të Hong Kongut dhe Makaos falë “një shtet, dy sisteme”.
Udhëtimi i lideres tajvaneze në SHBA nuk mund të shkëputet edhe nga një rritje e presionit diplomatik ndaj pushtetit të saj si pasoje e ngushtimt më tej të rrethit të atyre vendeve që vazhdonin të mbanin marrëdhënie diplomatike me Tajvanin. Rasti më i fundit është vendimi i Hondurasit për të vendosur marrëdhënieve diplomatike me Kinën. Pas shpalljes së ndërprerjes së “marrëdhënieve diplomatike” me autoritetet e Tajvanit nga Hondurasi, Republika Popullore e Kinës dhe Hondurasi deklaruan vendosjen e marrëdhënieve diplomatike më 26 mars 2023.
E shikoj të arsyeshme të sjell në vëmendje me këtë rast se rritja e numrit të vendeve që vendosin lidhjet diplomatike me Kinën, veçanërisht të disa syresh në Amerikën Qendrore dhe Latine, që kanë qenë domen i SHBA në të kaluarën neokolonialiste, po ngjet pavarësisht presionit intensive amerikan ndaj tyre. Rasti i Hondurasit nuk ka bërë përjashtim sepse kur presidentja e Hondurasit Xiomara Castro shprehu publikisht vullnetin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Kinën, Uashingtoni dërgoi një këshilltar të presidentit për vizitë në Honduras. Sipas njoftimeve nga Reuters, “SHBA-ja përpiqet për të penguar zbatimin e planit të ‘kthimit te Pekini'”. Por, kjo pengesë e paarsyeshme është patjetër e dështuar dhe nuk ka vlerë. Sipas komentit nga “New York Times”, “ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike” mes Hondurasit e Tajvanit është një goditje ndaj Tajvanit dhe një dështim i SHBA-së.
E konkretisht vitet e fundit Panamaja, Salvadori, Nikaragua dhe Hondurasi, që ishin të ashtuquajtura “vende me marrëdhënie diplomatike” me autoritetet e Tajvanit, zgjodhën “ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike” me ishullin dhe shpallën vendosjen ose rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën Popullore të Kinës.
Zv.kryetarja e Kongresit Kombëtar të Hondurasit, Rasel Tome, u shpreh se populli hondurian ka shpresë të madhe për zhvillimin e marrëdhënieve mes Kinës e Hondurasit dhe shpreson realizimin e shkëmbimeve ekonomike, politike, kulturore etj. Pala kineze mirëpret pjesëmarrjen e Hondurasit në nismën “Një brez, një rrugë” dhe në nismat e zhvillimit global, sigurisë globale e qytetërimit global, duke nxitur shkëmbimet dhe bashkëpunimin praktik në kornizat përkatëse. Në të njëjtën kohë, Kina dëshiron edhe të zgjerojë importet nga Hondurasi, si edhe të inkurajojë investimet e të marrë pjesë në ndërtimin e infrastrukturës në këtë vend, për të prodhuar një sërë frytesh prej bashkëpunimit.
Rasti i Hondurasit është reaksion domino dhe numri 182 i vendeve të botës qw kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Republikën Popullore të Kinës do të rritet më tej, ndërsa numri i të ashtuquajturave “vende me marrëdhënie diplomatike” me autoritetet e Tajvanit do të bjerë më tej nga vetëm 13 që është tani. Është i pashmangshëm ky proces se parimi i “Një Kine” është konsensusi i përgjithshëm i bashkësisë ndërkombëtare dhe një normë e pranuar e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Ndërkohë mesazhi për bashkim paqësor të atdheut i politikanit veteran tajvanez Ma Ying-jeou ndryshon si nata me ditën me bëmat e lideres aktuale Tsai Ing-wen, e cila ndër të tjera në rrugëtimin e saj të mjeruar në SHBA e dy vendet satelite të Uashingtonit, Guatemalë e Belize, i fryu zjarrit të përçarjes midis popullit kinez, kërkoi përsëri më shumë mbështetje amerikane dhe armatime, që nuk i janë kursyer nga qarqet militariste amerikane sepse në fund të fundit sipas skenareve luftënxitëse të Pentagonit ata janë të destinuara të përdoren kundër popullit kinez në mbrojtje të interesave kolonialiste të SHBA.
E kaluara dhe e tashmja në zhvillimet botërore ia rrisin vlerën konkluzionit se mençuria, jo fuqia e armëve do ta çojnë botën drejt një të ardhmeje më të ndritshme. E kontributi i Kinës dhe udhëheqjes së saj më në krye Xi Jinping e mendimin e tij po jep rezultatet e veta, duke bërë të dështojë ëndrra e çmendur amerikane e izolimit të fuqisë më të madhe në botë duke bërë presion nëpërmjet tensionimit të situatës lidhur me Tajvanin megjithëse Pekini ia ka bërë të qartë Uashingtonit se çështja e këtij rajoni kinez është vija e kuqe që nuk duhet shkelur.
Sa taktikë e dështuar është karta e izolimit janë edhe zhvillimet e 2023 në lidhjet e gjithanshme të Kinës në shkallë globale dhe çdo gjë ka treguar një kurbë impressive ngjitje. Veprimtaria më e fundit që pasoi një sërë eventesh të rëndësishme ndërkombëtare ishte mbledhja vjetore e Forumit Aziatik të Boao-s e zhvilluar nga 28 deri më 31 mars në Hainan të Kinës, e cila tërhoqi mbi 1.500 politikanë, biznesmenë e dijetarë të ardhur nga mbi 50 vende e rajone. Nën sfondin e paqëndrueshmërisë dhe paqartësisë globale, tema kryesore e mbledhjes vjetore “Bota e paqartë: Bashkëpunim e Hapja” tregoi pritshmëritë e njerëzve për një botë të qëndrueshme. Gjatë mbledhjes katërditore, shumë pjesëmarrës të huaj u shprehën se Kina ka lëshuar sinjale të qarta të hapjes me botën e jashtme, duke ruajtur prirjen e rritjes së fuqishme ekonomike. Ata shprehën besimin e plotë për tregun e gjallë kinez, mjedisin e mirë tregtar dhe sistemin e plotë të zinxhirit furnizues.
Një argument tjetër që dëshmon për pamundësinë amerikane të izolojë Kinën: Në janar të këtij viti, investimet e huaja në Kinë arritën në 127 miliardë e 690 milionë juanë (rreth 18.6 miliardë dollarë), duke u rritur 14.5 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë.
Këtë vit, Kina ka ndërmarrë një sërë masash të reja të hapjes me botën e jashtme. Nga bashkëpunimi bujqësor mes Hainanit e ASEAN-it, iniciativa për marrëdhëniet e partneritetit të zonave e porteve të tregtisë së lirë globale, promovimi i zhvillimit me cilësi të lartë të nismës “Një brez, një rrugë”, deri në bashkëpunimi për ekonominë digjitale e të gjelbër, hapja e nivelit të lartë të Kinës ndaj botës së jashtme po thellohet dhe forcohet hap pas hapi.
Ndërkohë Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen do të vizitojë Kinën më 5-7 prill e së bashku me të do të jetë Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Zhvillimi paqësor dhe i qëndrueshëm në Kinë dhe Azi i ka sjellë botës besim, dhe çdo forcë regresive e ka të pamundur të ndalojë këtë uragan të zhvillimit global të botës sepse popujt janë bërë të ndërgjegjshëm se vetëm komuniteti i fateve të përbashkëta të njerëzimit bën të mundur arritjen e zhvillimit të qëndrueshëm, uljes së varfërisë dhe paqes botërore.
Në këtë kontekst rajoni i Tajvanit si pjese integrale e Kinës e ka vendin në gjirin e vendeve që punojnë për paqe e prosperitet, prandaj sado përpjekje të bëhen nga liderja aktuale në Taipeh Tsai Ing-wen dhe SHBA rrota e historisë nuk ndalet dhe e ardhmja i përket bashkimit paqësor të Tajvanit me Kinën.
Foto:VCG
Realiteti i një Kine që ecën përpara drejt majave të reja të zhvillimit, që po bëhet gjithnjë e më shumë fuqia më e besuar në arenën ndërkombëtare në mbrojtje të paqes e sigurisë dhe mbështetëse potenciale e të gjithë vendeve, por veçanërisht atyre më të varfra, me një autoritet ndërkombëtar në rritje duke i besuar edhe ndërmjetësime për zgjidhje paqësore të konflikteve në rajone të ndryshme të botës sikurse ishte rasti midis Arabisë Saudite dhe Iranit që rivendosen marrëdhëniet diplomatike e konsakruar në Pekin më 10 mars 2023, është bërë makth për SHBA, që e ndjen se po i dobësohen më tej forca e presionit dhe veprimit ndaj aleatëve e vendeve të tjera. Prandaj çdo përpjekje provokuese ndaj Kinës me figura si Tsai Ing-wen dhe tensionim të situatës në Ngushticë janë të destinuara të dështojnë dhe pashmangërisht çështja e Tajvanit do të gjejë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë si çështje e brendshme e popullit të Republikës Popullore të Kinës. /CRI