Ballanca: Nëse institucioni i Avokatit të Popullit konsideron se shkelen të drejtat e njeriut mundet që të paraqesë dhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështje nga më të ndryshmet
Kundër aktit normativ dhe paketës anti-KÇK të përgatitur nga qeveria ka dalë dhe institucioni i avokatit të popullit, i cili shprehet se mund t’i ankimojë ndryshimet ligjore në gjykatën kushtetuese.
“Nëse institucioni i Avokatit të Popullit konsideron se shkelen të drejtat e njeriut mundet që të paraqesë dhe ankesë në Gjykatën Kushtetuese për çështje nga më të ndryshmet. Kështu që të gjitha janë elemente që ne jemi duke i vlerësuar. Ne do të dërgojmë rekomandimin dhe qëndrimin tonë edhe në Kuvendin e Shqipërisë” u shpreh Avokati i Popullit, Erinda Ballanca, gjatë një interviste për A2CNN.
Sipas saj, akti normativ i qeverisë, që ka dalë për këtë qëllim dhe është ngritur dhe një forcë policore ekstra, nuk i plotëson kriteret e emergjencës.
“Duhet që të ketë një gjendje jo të zakonshme në jetën e vendit, ku të evidentohet dukshëm rreziku i ardhjes së pasojave të dëmshme për interesat publike dhe të drejtat themelore të shtetasve. Dhe ky rrezik i dukshëm dhe i menjëhershëm nuk mund të kryhet sipas rrjedhës normale të legjislacionit. Situata e krimit në Shqipëri nuk ka ndryshuar në 5-6 vitet e fundit. Nëse është përkeqësuar situata e krimit duhen zbatuar ato ligje të cilat qartësisht janë në fuqi”, shton Ballanca. Nga ana tjetër institucioni i avokatit të popullit ka një këndvështrim kritik dhe për ndryshimet që pritet të bëhen në ligjin e Policisë së Shtetit. “Është një rrezik real ndaj të drejtave të individëve. Përgjimet për individët janë vetëm të ligjshmet, janë vetëm ato që autorizohen qartësisht nga ana e prokurorisë”, përfundoi Erinda Ballanca. Sipas Ballancës edhe heqja e nenit që parashikonte shkatërrimin e përgjimeve pas 6 muajsh shkel të drejtat e njeriut.
Helsinki
Por qeveria duket se në këtë narrativë të saj ka kundër dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, i njohur jo në pak raste për përkrahjen që i ka dhënë qeverisë në ndërmarrje të ndryshme, siç ishte për shembull Reforma në Drejtësi. Drejtoresha e këtij organizmi Erinda Skëndaj thotë se akti normativ i qeverisë është në shkelje të Kushtetutës, dhe merr kompetencat e organeve të hetimit.
“Ky akt normativ me fuqinë e ligjit rregullon disa çështje që në fakt duhet të jenë me miratim ligjor nga një shumicë e cilësuar, që rrjedh nga Kushtetuta e Shqipërisë. Me këtë akt normativ nuk mund të asgjësohet kompetenca e Prokurorisë së Posaçme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit. Në brendësinë e tij parashikon ndryshime të detajuara, vendos afate, dhe sipas vendime të mëhershme të GJK nuk mund të prekë ligje për të cilat duhen ndryshime përmes votimit me shumicë të cilësuar në Kuvend”, thotë Skëndaj.
Gjithsesi deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, akti normativ dhe paketa ligjore që e mbështet atë do të vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qeveria nga ana e saj, e ka bërë veshin shurdh ndaj akuzave për shkelje të kushtetutës, dhe dublim të organeve të hetimit.