Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka kërkuar që Rusia të pranojë fajin për rrëzimin e aeroplanit azerbajxhanas të pasagjerëve, të ndëshkojë përgjegjësit dhe të paguajë dëmshpërblimin.
Duke folur për gazetarët në Baku, presidenti Aliyev konfirmoi se aeroplani i ‘Azerbaijan Ailines’, i cili u rrëzua pranë qytetit Aktau në Kazakistan, u dëmtua rëndë nga “zjarri i përhapur në tokë” dhe pothuajse humbi kontrollin për shkak të luftës radio-elektronike.
“Ne i kemi shprehur qartë kërkesat tona palës ruse”, tha presidenti Ilham Aliyev në një intervistë për AZERTAC.
“Këto kërkesa iu janë komunikuar zyrtarisht më 27 dhjetor. Në çfarë konsistojnë? Së pari, pala ruse duhet t’i kërkojë falje Azerbajxhanit.
Së dyti, ajo duhet të pranojë fajin e saj.
Së treti, përgjegjësit duhet të ndëshkohen, të sillen në përgjegjësi penale dhe duhet t’i paguhet dëmshpërblimi shtetit të Azerbajxhanit, si dhe pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të dëmtuar.
Këto janë kushtet tona. E para prej tyre u plotësua dje (duke iu referuar kërkim faljes nga Presidenti Putin). Shpresoj se do të pranohen edhe kushtet e tjera. Të gjitha këto kërkesa janë të drejta. Këtu nuk ka kërkesa apo çështje të jashtëzakonshme; E gjithë kjo bazohet në përvojën ndërkombëtare dhe sjelljen normale njerëzore”, tha kreu i shtetit.
/Argumentum.al