Presidenti i Azerbajxhanit tha të premten se vendi i tij është një partner i besueshëm dhe do t’i përmbahet një marrëveshjeje për të dyfishuar eksportet e gazit në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
Duke folur për gazetarët në kryeqytetin e Bullgarisë, presidenti Ilhan Aliyev e quajti një interkoneksion të ri të gazit me Greqinë “një arritje historike dhe një mundësi që gazi azerbajxhanas të arrijë në Evropë në sasi më të mëdha”.
Aliyev ishte në Sofje për nisjen zyrtare të shtunën e një tubacioni të ri që do të furnizojë gaz natyror nga Azerbajxhani në Bullgari, furnizimi jetik i të cilit me gaz rus u ndërpre në prill në mes të pasojave nga pushtimi rus në Ukrainë.
Në ngjarjen e së shtunës, ai do të bashkohet me krerët e shteteve dhe qeverive nga rajoni, si dhe me Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Tubacioni prej 182 kilometrash është projektuar të shkojë nga qyteti verilindor grek i Komotinit në Stara Zagora në Bullgarinë qendrore. Ai pritet të nisë me një kapacitet fillestar prej 3 miliardë metra kub gaz në vit, me perspektivë zgjerimi në të ardhmen në 5 miliardë metra kub.
Presidenti bullgar Rumen Radev theksoi rëndësinë e lidhjes së re të gazit jo vetëm për Bullgarinë, por edhe për kontinentin. “Kjo ndryshon në mënyrë vendimtare hartën energjetike të Evropës,” tha ai.
/Argumentum.al