Një ditë pas arritjes së marrëveshjes për armëpushim mes Azerbajxhanit dhe Armenisë, me ndërmjetësimin e Rusisë janë rikthyer tensionet ndërmjet dy vendeve.
Gjatë ditës së dielës , Azerbajxhani akuzoi Armeninë për bombardimin një zone banimi në Ganja, qyteti i saj i dytë më i madh.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm në Azerbajxhan tha se gjatë sulmit pesë persona ishin vrarë dhe 28 të tjerë kishin mbetur të plagosur të plagosur. Ai shtoi se Armenia po shkelte normat e Konventës së Gjenevës për mbrojtjen e civilëve.
Ministria armene e mbrojtjes i quajti pretendimet “një gënjeshtër absolute” dhe akuzoi Azerbajxhanin për vazhdimin e bombardimeve të zonave të populluara brenda Karabakut, duke përfshirë Stepanakert, qytetin më të madh të rajonit.
Nga sheshi Shën Pjetër, Papa Françesku në meshën e së dielës u lut për paqe mes dy shteteve duke u bërë thirrje palëve të gjejnë gjuhën e dialogut.
“Vlerësoj që mes Armenisë dhe Azerbajxhanit për arsye humanitare u arrit një armëpushim, duke shpresuar të arrihet një marrëveshje thelbësore për paqen. Megjithëse armëpushimi rezulton shumë i brishtë, unë i inkurajoj të rifillojnë dhe të ndiejnë dhembjen e humbjeve të jetës njerëzore si dhe për shkatërrimin e shtëpive dhe vendeve të kultit. Unë lutem dhe ju ftoj të luteni për viktimat dhe për të gjithë ata, jeta e të cilëve është në rrezik“,- tha në fjalën e tij kreu i Vatikanit.
Rinisja e luftimeve mes Azerbajxhanit dhe Armenisë rihap një konflikt të vjetër duke ngritur frikën edhe të një tjetër përplasje me Turqinë e cila është një aleat i ngushtë me Azerbajxhanin e nga ana tjetër është edhe Rusia e cila ka një pakt mbrojtje me Armeninë.