Në Azerbajxhan me një minutë heshtje u përkujtuan ushtarët e rënë dëshmorë në operacionet e ndërmarra për çlirimin e territoreve të tij nga pushtimi armen.
Në Azerbajxhan u mbajt një minutë heshtje në përkujtim të dëshmorëve që sakrifikuan jetën e tyre në luftën për atdhe. Në orën 12:00 sipas kohës lokale drejtuesit e automjeteve zbritën nga makinat e tyre dhe mbajtën qëndrimin në heshtje ku dhe më pas u dëgjuan boritë nga automjetet.
Edhe qytetarët që vizituan Monumentin e Dëshmorëve në kryeqytetin Baku mbajtën një minutë heshtje në orën 12:00. Ndërkohë edhe anijet në Detin Kaspik i ranë sirenave.
Edhe në Ganja, qytetin e dytë më të madh në Azerbajxhan u përkujtuan dëshmorët. Në ekranet e mëdha të vendosura në shesh u publikuan pamje nga konfliktet dhe fitorja e arritur dhe qytetarët mbajtën një minutë heshtje duke zbritur nga automjetet e tyre.
Ndërkohë presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe bashkëshortja e tij, Mihriban Aliyeva, morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në orët e mëngjesit në Monumentin e Dëshmorëve.
Pas intonimit të himnit kombëtar të Azerbajxhanit, presidenti Aliyev vendosi kurorë në “Monumentin e Zjarrit të Përjetshëm”.
Ministria azerbajxhanase e Mbrojtjes, kishte njoftuar se 2.783 ushtarë të Azerbajxhanit kanë humbur jetën në luftën e cila filloi më 27 shtator dhe përfundoi më 10 nëntor me nënshkrimin e marrëveshjes ku Armenia pranoi humbjen e saj.
Armenia pranoi humbjen pasi ushtria e Azerbajxhanit çliroi nga pushtimi i Armenisë 5 qendra qytetesh, 4 qyteza dhe rreth 286 fshatra me operacionin që filloi në Malësinë e Karabakut më 27 shtator. Në kuadër të armëpushimit të nënshkruar, Armenia evakuoi rajonet nën pushtim Agdam, Lachin dhe Kalbajar.
© Argumentum