Azerbajxhani më 1 shtator mban zgjedhjet parlamentare, votimet e para që kur Bakuja rimori kontrollin e plotë të Nagorno-Karabakut përmes një ofensive të shpejtë një vit më parë.
Njëzet e pesë parti politike po marrin pjesë në këto zgjedhje, ku fituesit do të qeverisin vendin për pesë vitet e ardhshme. 990 kandidatë konkurrojnë për 125 poste në parlament.
Vendvotimet u hapën të dielën në Azerbajxhan për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të parat që kur rifitoi kontrollin e plotë të një ish territori separatist në një ofensivë rrufe vitin e kaluar.
Zgjedhjet vijnë mes sfidave rajonale dhe tensioneve të vazhdueshme gjeopolitike, me vëzhguesit ndërkombëtarë që monitorojnë nga afër procesin.
Presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev hodhi votën e tij në një qendër votimi në parlamentin Milli Mejlis në Baku më herët gjatë ditës. Ai mbërriti në qendrën e votimit së bashku me bashkëshorten e tij nënpresidentin Mehriban Aliyeva dhe vajzën e tyre Leyla Aliyeva.
Komisioni kombëtar i zgjedhjeve ka thënë se 50 organizata do të monitorojnë zgjedhjet. Kontingjenti më i madh i vëzhguesve është nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe këta vëzhgues pritet të jenë të pranishëm në vlerësimet preliminare të zgjedhjeve më 2 shtator.
Partia në pushtet ka 69 nga 125 ulëse në Parlament dhe pjesa tjetër e ulëseve u takojnë partive më të vogla proqeveritare apo kandidatëve të pavarur.
Grupimi më i madh opozitar, partia Musavat, kishte vendosur 34 kandidatë në listën zgjedhore, por vetëm 25 nga ta janë regjistruar. Partia opozitare, Alternativa Republikane ka 12 kandidatë. Fronti Popullor azerbajxhanas për të shtatën herë me radhë ka refuzuar që të marrë pjesë në zgjedhje.
Aliyev u rizgjodh për një mandat tjetër shtatëvjeçar gjatë zgjedhjeve të mbajtura shkurtin e këtij viti, që gjerësisht janë parë si zgjedhje jofer.
Vëzhguesit perëndimorë vazhdimisht kanë kritikuar zgjedhjet gjatë mandatit të Aliyevit, duke i përshkruar ato si jodemokratike.
/Argumentum.al