Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “sesioni i parë i legjislaturës së dhjetë të Kuvendit ka qenë me intensitet pune, me shumë produktivitet përsa i përket legjislacionit të miratuar natyrshëm edhe me pjesën e debatit parlamentar”.
Në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e sotme nga kryesia e Kuvendit, Balla tha se “duke qenë se ishte sesioni i vjeshtës një pjesë e mirë u lidh me buxhetin e shtetit 2022 dhe me paketën fiskale që e shoqëron buxhetin e shtetit”.
“Besoj që biem të gjithë dakord që është një buxhet më i madhi në historinë e 30 viteve të fundit, është një buxhet që mbështet shërbimin ndaj qytetarëve, sipërmarrjeve, dixhitalizimin dhe investimet kyçe në infrastrukturë”, nënvizoi Balla.
Ballla u shpreh se “buxheti u kthye mbrapsht nga ana e presidentit, që shkaktoi një vonesë në miratimin e buxhetit të bashkive. Megjithatë Kuvendi i Shqipërisë në seancën e fundit e rrëzoi dekretin e Presidentit që do të thotë që buxheti i shtetit tashmë prej datës 1 janar 2022 ka hyrë në fuqi”.
“Nuk prisnim që opozita të votonte buxhetin e shtetit apo paketën fiskale. Natyrisht këto janë ndarjet historike dhe tradicionale mes shumicës dhe pakicës”, shtoi Balla.
Kreu i grupit parlamentar u shpreh se “gjatë këtij sesioni të kësaj legjislature një ligj që do e veçoja nga rëndësia është ai i bashkëqeverisjes, i cili është shumë konkret për krijimin e një regjistri për persona që kryejnë vepra penale me bazë gjinore”.
“Kjo nismë ka hyrë në procedurën e miratimit presim një opinion nga qeveria sapo Kuvendi të rimblidhet në sesionin tjetër do ta miratojmë”, tha Balla.
Më tej, Balla bëri të ditur se “janë 31 ligje të miratuara, 13 me konsensus nga dy palët në Kuvend. Bëhet fjalë për ratifikime marrëveshjesh, qofshin këto me kompaninë Pfizer për vaksinimin apo marrëveshje rajonale.
Sa i përket kontrollit parlamentar, Balla tha se “ky sesion edhe pse i shkurtër, ka pasur 3 interpelanca, 2 komisione hetimore që vijojnë. Është një sesion ku edhe mekanizmi i kontrollit parlamentar ka funksionuar”.
“E veçanta e këtij sesioni në kuadër të dimensionit të diplomacisë parlamentare, si asnjëherë tjetër më parë në këto katër muaj kemi pasur një intensifikim në bashkëpunimin me Kosovën, kemi një dakordësuar një memorandum bashkëpunimi me Kuvendin e Kosovës që pritet të firmoset së shpejti nga dy drejtuesit e kuvendeve. Harmonizimi i qëndrimeve mes delegacioneve të Shqipërisë dhe Kosovës në të gjitha organizata ku bëjmë pjesë po ajo që ka më shumë rëndësi aty ku Kosova nuk është prezente, ka një vlerë të rëndësishme dhe që duhet të ndiqet nga të gjithë ne, në mënyrë rigoroze. Edhe me grupin e PD-së, të paktën për çështje që lidhen me interesin kombëtar, si ai me Kosovën, nuk kemi ndasi, përkundrazi të kemi të njëjtën qasje”, tha Balla.