Ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri homazhe dhe vendosi kurorë me lule në Kuesturën e Palermos, ku kanë zhvilluar veprimtarinë e tyre ligjore kundër mafias dy figura të shquara si Giovanni Falcone e Paolo Borsellino.
“Questura di Palermo – Një kurorë me lule në përkujtim të sakrificës së heronjve magjistratët Giovanni Falcone, Paolo Borsellino dhe policët e vrarë në luftën kundër mafias. Një bisedë e frytshme me drejtuesit e Policisë dhe Karabinierisë”, shkruan Balla.
Në takimin e zhvilluar me drejtuesit e Policisë dhe Karabinierisë italiane, ministri Balla u shpreh se është shumë e rëndësishme të mësojmë nga eksperienca italiane për sa i përket modus operandi dhe hetimeve. “Për shembull ne kemi pasur një operacion të madh dhe kemi arritur të zbulojmë gjashtë raste vrasjesh, sepse kemi mundur të sigurojmë një bashkëpunëtor të drejtësisë”, theksoi Balla.
Duke folur rreth bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe posaçërisht rreth fushës së bashkëpunimit policor, Balla vuri në dukje se “këtë vit kemi pasur rreth 600 mijë turistë italianë. Mendoj që vitin e ardhshëm numri do të jetë në rritje. Gjëja më e bukur ishte fakti që së bashku me policët tanë ishin edhe përfaqësues të policisë së shtetit italian për sigurinë e pushuesve në zonat turistike në Durrës, Vlorë dhe Sarandë”.
Mes Shqipërisë dhe Italisë funksion prej disa vitesh një koordinim i gjerë për luftën kundër narkotikëve dhe operacionet e Guardia di Finanza përmes monitorimit ajror kanë një rëndësi kyçe në zbulimin e ngastrave të mbjella me kanabis.
Ministri Balla ndodhet në Palermo për të marrë pjesë në Ministerialin mbi 20-vjetorin e Konventës së Palermos, i organizuar nga qeveria italiane, për të diskutuar mbi bashkëpunimin midis shteteve në luftën kundër aktiviteteve kriminale.