Nisma e Ballkanit të Hapur mund të ndihmojë në nxitjen e rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm të Kuvendit, Mimi Kodheli, mori pjesë në një takim ndërparlamentar virtual, të organizuar me iniciativën e kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit italian, Piero Fassino, në kuadrin e procesit të konsultimeve që ai po zhvillon prej disa kohësh me homologët e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe të vendeve që kanë dhe marrin kryesinë e BE.
Takimi kishte si bazë diskutimi përfundimet e samitit të 6 tetorit të BE-së për përparimin e procesit të integrimit evropian të Ballkani Perëndimor, pa vonesa të mëtejshme.
Në fjalën e saj Kodheli theksoi se, “Shqipëria i ka përmbushur premtimet dhe detyrimet e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen”.
Nga ana e saj, shtoi Kodheli, “BE-ja po dështon të bëjë të njëjtën gjë, duke vënë në dyshim edhe të ardhmen e procesit të zgjerimit”.
“Progresi ynë është vërtetuar nga gjetjet dhe konkluzionet e raportit të fundit të Komisionit Evropian. Ndërkohë Ballkani Perëndimor është sot shumë më i rrezikuar se disa vite më parë jo vetëm për shkak të sfidave globale, por sidomos edhe për shkak të pasigurisë dhe pasivitetit të BE-së. Jemi thellësisht të shqetësuar nga zhvillimet e fundit në rajon, duke filluar nga nderimi që i bëhet kriminelëve të luftës të kohërave më të errëta e deri te përshkallëzimi i retorikës agresive dhe shfaqjet kërcënuese ushtarake, të nxitura dhe të mbështetura nga ata që janë hapur armiqësorë ndaj integrimit europian të Ballkanit Perëndimor dhe ndaj vetë politikës së përbashkët të jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes së BE-së”, u shpreh ajo.
“Ne mendojmë se ka ende hapa konkretë që mund të ndërmerren për t’i bërë vendet tona pjesë të BE-së”, u shpreh Kodheli.
Së pari, shtoi ajo, “BE-ja duhet të demonstrojë konkretisht angazhimin e saj, duke mbështetur Ballkanin Perëndimor përmes planeve të investimeve ekonomike”.
“Së dyti, BE-ja mund të mbështesë rininë tonë duke i përfshirë në të njëjtat mekanizma integrues në rrjetin e saj të arsimit të lartë”, tha Kodheli.
“Së treti, BE-ja duhet të mbështesë plotësisht Ballkanin e Hapur, që është një iniciativë e rënë dakord mes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si një përpjekje tërësisht gjithëpërfshirëse dhe integrimi i rajonit, si një hapësirë e lirisë së plotë të lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit”, theksoi Kodheli.
“Së katërti, BE-ja mund të bëjë gjënë e duhur për ne duke mos përjashtuar Ballkanin Perëndimor nga planet e saj të reagimit emergjent për të përballuar fatkeqësitë dhe sfidat e mëdha si pandemia ose krizën më të fundit energjetike”, tha Kodheli.
Në përfundim, Kodheli përmendi vizitën në Tiranë të kryeministrit holandez Mark Rutte, i cili, duke iu referuar procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe mbështetjes që Holanda po i jep Shqipërisë për të hapur negociatat, vlerësoi progresin domethënës të bërë nga Shqipëria.
Gjatë takimit, kryetarët e komisioneve të Jashtme të parlamenteve të Italisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Francës diskutuan mbi proceset integruese të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht mbi sfidat, rrugët dhe përpjekjet e përbashkëta që nevojitet të ndiqen për përshpejtimin e këtij procesi.
Bashkëbiseduesit gjithashtu shkëmbyen mendime mbi hapat e nevojshme për konsolidimin e demokracisë dhe reformave të brendshme si dhe mbi nevojën e forcimit të bashkëpunimit dhe promovimin e dialogut për zgjidhjen e problemeve midis vendeve të rajonit.
Në deklaratën e shtypit publikuar pas këtyre konsultimeve nënvizohet se, takimi mirëpriti faktin që liderët evropianë në deklaratën e tyre përfundimtare kishin riafirmuar në mënyrë të qartë miratimin e tyre për përfshirjen evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit, si një “objektiv të interesit të përbashkët strategjik”. Gjithashtu në takim u shpreh vlerësimi për premtimet e BE-së për mbështetjen financiare të zhvillimit ekonomik të Ballkanit.
Ndërkohë, takimi shprehu shqetësimin se procesi i zgjatur integrues mund të zgjojë ndjenja zhgënjimi duke e ekspozuar rajonin ndaj rrezikut të presioneve etnocentrike dhe ndjenjave të nostalgjisë për të kaluarën. Deklarata thekson gjithashtu shqetësimin përsa i përket pranisë së shtuar në Ballkan të lojtarëve të tjerë ndërkombëtarë, shpesh të motivuar nga objektiva hegjemonikë e jo nga vlerat dhe liritë e përbashkëta demokratike.
Kryetarët e komisioneve të Punëve të Jashtme të parlamenteve të gjashtë vendeve të Ballkanit dhe Francës, Italisë dhe Sllovenisë shprehën shpresën se Bashkimi Evropian do të ndërmarrë veprime të shpejta për të rifilluar procesin e integrimit, dhe dërguar sinjale të menjëhershme për përfshirjen e vendeve të rajonit në politikat e saj dhe në Konferencën për të Ardhmen e Evropës.
Në deklaratë theksohet se, një element me rëndësi të madhe do të ishte forcimi i të gjitha formave të bashkëpunimit rajonal që promovon marrëveshjet e integrimit – siç është nisma e Ballkanit të Hapur – e cila mund të ndihmojë në nxitjen e rrugës së anëtarësimit në BE./ata