EKSKLUZIVISHT PER “ARGUMENTUM”
Nga Stefani NOVA
Një rajon i tërë që jeton në parakohshmëri. Pse jo, edhe përkohshmëri. Ky duket se është realiteti politik i Ballkanit, vendet e të cilit tashmë e kanë kthyer alternativën e zgjedhjeve të parakohshme në një “modus viventi” të tyre. Mjafton vetëm një sebep, që qeveritë e tyre të bien menjëherë dhe të kërkojnë sërish votime. Me kohë apo pa kohë. Në më të shumtën e rasteve, pa menduar fare për koston e një aksioni të tillë. Ku para së gjithash, përveç asaj financiare, vlen të konsiderohet ajo e stabilitetit politik, të cilin nuk ta falin kurrsesi qeveri që bien dhe ngrihen brenda natës sipas avazeve të brendshme, apo edhe të jashtme, siç ndodhi më së fundmi në Maqedoninë e Veriut, ku kryeministri aktual, Zoran Zaev deklaroi dorëheqjen e tij pas moshapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Një vend ky, i cili duhet thënë se vuajti jo pak për të arritur tek qeverisja aktuale, pas një rotacioni të vështirë jo vetëm politik, por mbi të gjitha kombëtar, pasi i solli asaj ndryshime të qenësishme, si ai emrit, apo pranimi i gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare, etj. Dhe megjithë kontrastimet që ato sollën tek popullsia vendase, “ujërat e Ohrit” dukej sikur ishin qetësuar disi dhe ajo dukej se po përshtatej me këtë status të ri, (edhe pse kjo vetëm në dukje). Ama, zyrtarisht, të gjithë po shfaqeshin më rehat. Edhe Greqia, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe Bashkimi Evropian: Maqedonia e Veriut nuk po krijontë më probleme sipas tyre.
Por ja që në Ballkan nuk mund të flitet kurrë për qetësi. Diçka do të ndodhë patjetër. E kështu ndodhi edhe në këtë rast me Maqedoninë “e rehabilituar” nga dora mjeshtërore e Perëndimit, pas “heqjes qafe” të një ish-qeverisjeje bezdisëse sipas tyre e VMRO-DPNE, drejtuar nga ish-kryeministri në arrati Nikola Gruevski. Në Maqedoninë, ku edhe si në vendet e tjera të Ballkanit nuk mund të ketë përhershmëri…
Historia jo shumë e largët, por vetëm ajo e pak ditëve më parë na solli në vëmendje një tjetër rast të tillë, pikërisht atë të Rumanisë, e cila pret të shkojë edhe ajo drejt zgjedhjeve të parakohshme. Kjo pasi qeveria e saj, pllakosur nga skandalet e humbi votëbesimin në parlament, ç’ka çoi drejt kolapsit të saj.
Tani një qeveri kalimtare pritet të marrë përsipër drejtimin e vendit deri në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në vitin 2020. Dhe kjo pasi zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme nuk janë një opsion për momentin, sepse vendi muajin e ardhshëm përballet me zgjedhjet presidenciale. Sipas ligjit, Rumania nuk mund të mbajë zgjedhje parlamentare përveçse me një diferencë 6-mujore prej atyre presidenciale.
Po zgjedhjet e parakohshme në fillim të kësaj vere për Greqinë i harruat? Njësoj si në rastin e Maqedonisë së Veriut, ndryshe në fakt nga ai i Rumanisë, edhe ato u shkaktuan nga faktorë të jashtëm, çuditërisht edhe këta të lidhur me Bashkimin Evrpian.
Kështu, pas humbjes në zgjedhjet pranverore 2019 për Parlamentin e ri të BE-së, ish-kryeministri i majtë grek, Aleksis Cipras deklaroi zgjedhje të parakohshme për vendin e tij. Dhe kjo pasi në këto zgjedhje partia e tij mori vetëm 23,8 përqind të votave. Kësisoj kjo parti u rendit më shumë se nëntë pikë pas konservatorëve të Demokracisë së Re, që fituan papritur qartazi me 33,2 përqind. Një avantazh i dukshëm ky në këto zgjedhje të BE-së në Greqi që pas anëtarësimit të këtij vendi ballkanit në strukturat evropiane në vitin 1981.
E sikur kjo të mos mjaftonte edhe në zgjedhjet lokale, të mbajtura në maj të këtij viti, Syriza e Ciprasit përjetoi një rënie gjithashtu të fortë. Dhe pas gjithë këtyre dështimeve, kryeministri i majtë shpalli zgjedhjet e parakohshme…
Ndërkaq, një tjetër vend ballkanik që faktorë të jashtëm e kanë detyruar të kryejë lindje të parakohshme të një qeverie të re është natyrisht edhe Kosova. Kujtojmë se në Kosovë vetëm dy javë më parë u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u shpallën pas dorëheqjes së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për shkak të ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë.
Proces ky që pasoi me rotacion politik, ku kryesimin e votave dhe shansin për të krijuar një qeveri të re e mori Lëvizja Vetëvendosje, e drejtuar nga Albin Kurti. Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, ka qenë po ai i cili paralajmëroi vetëm pak ditë më parë mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme, nëse sipas tij, nuk do t’i njihej kjo e drejtë…
Precedenti duket se vazhdon edhe më tej në hartën e Ballkanit me një vend tjetër të rëndësishëm të tij, siç është Serbia, por këtë herë kushtëzuar nga faktorë të brendshëm. Pas katër muajsh protesta masive të qytetarëve, presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka vendosur t’u dorëzohet presionit të tyre duke pranuar se do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Qytetarët serbë kanë protestuar për katër muaj, duke i kërkuar qeverisë të sigurojë liri mediatike, të luftojë korrupsionin dhe trajtojë çështje si papunësia, varfëria dhe ikja e trurit.
Konkretisht, pas takimit me kryesinë e partisë së tij, kreu serb deklaroi zgjedhjet do të mbahen në qershor ose në janar të vitit 2020, por protestuesit nga ana e tyre kërkuan afrimin e datës së zgjedhjeve. Vuçiç tha atëherë gjithashtu se vendimi përfundimtar nuk do të merrej sot për nesër, por ekspertët parashikojnë gjithashtu që ai të mos i shpallë ato para fundit të vitit…
Të mos harrojmë sakaq se edhe Bullgaria u përball para katër vitesh me zgjedhje të parakohshme, të konsideruara në atë kohë si rrugëdalja e vetme nga kriza politike që kishte mbërthyer vendin.
Konkretisht, ato u thirrën nga kreu i shtetit bullgar, i cili deklaroi atëherë se ishte i detyruar që të kërkonte mbajtjen e zgjedhjeve pasi thirrjet e mëparshme për dialog nuk ishin përfillur prej palëve politike. Bullgaria mbajti kësisoj zgjedhje të parakohshme pas rrëzimit të qeverisë së mëparshme të djathtë të kryeministrit Borisov.
Por nga ana tjetër, vlen të thuhet se ka dhe vende ballkanike ku edhe pse togfjalëshi “zgjedhje të parakohshme” dominon tërë verbiumin politik të ditës, ai po vihet në përdorim me më shumë vështirësi se në vendet e lartpërmendura. Ndoshta ngaqë faktorët janë vetëm të brendshëm?!
Mjafton të përmendim këtu rastin e Malit të Zi, apo edhe të Shqipërisë, ku të paktën prej 1-2 vitesh opozitat vendase janë duke kërkuar me çdo kusht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, porse një gjë e tillë zor se po ndodh. E megjithatë, askush nuk i ka përjashtuar deri tani si opsion i mundshëm me të cilën mund të përballen shumë shpejt që të dyja këto vende.
Për ta kompletuar në këtë mënyrë të gjithë këtë aureolë ballkanike zgjedhjesh të parakohshme, shoqëruar me lindje të parakohshme qeverish. Që si të tilla, në më të shumtën e rasteve rezultojnë delikate dhe me një jetë më të vështirë se të tjerat që mbërrijnë në kushte normale. Njësoj si fëmijët që vijnë në jetë nga kushte të tilla. Nga inkubatorët… Ata që të të optimalizojnë me parametrat normalë jetësorë vetëm muajt e parë. Por që më tej, të lënë të përballesh vetë me peripecitë e saj…/argumentum.al/
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum