Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë sot në Samitin online të liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili është përqendruar tek situata e pandemisë së COVID-19.
Gadishulli i Ballkanit Perëndimor pritet të jetë rajoni më i goditur nga pandemia, ndaj kryeministri bën thirrje për bashkëpunim mes vendeve, pa politizuar procesin e kompensimit të humbjeve.
“Secili prej nesh është goditur në mënyra të ndryshme. Ne për shembull dhe disa si ne, me ulje të ndjeshme në turizëm dhe duke ndikuar në ekonomi. Në këto kushte, ne mund të kompensohemi me më shumë dhe me bashkëpunim më të shpejtë. Nëse ju Këshilli Atlantik, dhe të tjerët gjithashtu që janë prezentë, BE dhe të tjerë, do na bashkoheshit do ishte shumë ndihmë”, tha Rama.
Teksa u shpreh optimist për tejkalimin e kësaj situata, shefi i qeverisë shqiptare tha se popujt po presin që liderët të japin rezultate konkrete.
“Duhet të ecim më shpejt dhe mos dëgjojmë politizimin që i bëhet këtij procesi. Kurrë nuk i ka ndihmuar njerëzit. Duhet ta kalojmë këtë situatë, sepse po presim për popujt dhe liderët që të japin rezultate pavarësisht nga feja, prejardhja, ngjyra”, shtoi ai.